“Cvetan Dimov”, me gjashtë korsi brenda dy viteve, Ganiu: Vlerësimi i shpronësimeve, në fazën finale

    Zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov” është riaktualizuar sërish një ditë më parë pasi projekti në fjalë mori dritë jeshile nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. Bulevardi në fjalë planifikohet të ketë gjashtë korsi dhe kjo do të thotë se disa nga objektet në atë zonë duhet të shpronësohen. Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se kompania e angazhuar për vlerësimin e objekteve ka kryer tashmë rreth 70 % të punës. I gjithë projekti pritet të kushtojë rreth 2.5 milion euro, ndërsa i njëjti do të shfrytëzohet nga mbi 130 mijë qytetarë. Projekti parashihet të realizohet për dy vjet. Për miratimin e këtij projekti nga Këshilli i Qytetit të Shkupit, nuk vonoi të merrte merita edhe zv/kryeministri i parë Artan Grubi. Në faqen e tij zyrtare ai shkruan se projektet e tilla do të kenë përkrahjen e Qeverisë edhe në të ardhmen. Për kryetarin e Komunë së Çairit, Artan Grubi ka të drejtë vetëm të gëzohet si qytetar i Çairit dhe meritat t’jua lërë atyre që kanë bërë punën.

    “Siç e thotë populli, nuk e di a të qash a të qeshësh me atë. Artan Grubi e mori dje edhe atë të drejtë që të dalë dhe ta promovojë si sukses të Qeverisë ose në njëfarë mënyrë të bëjë spin dhe lidhshmëri me një rrugë krejt tjetër që do të ndërtohet. As Artani dhe as Bujari brenda këtyre shtatë viteve që Çairi ka zëvendëskryeministra në ekzekutiv, Komunës së Çairit nuk i kanë sjellë as dy milion euro investime”, tha Visar Ganiu- kryetar i Komunës së Çairit.

    Ndërkohë që vazhdon beteja virtuale për meritat se kush bëri më shumë për këtë projekt që ende s’ka filluar të zbatohet në terren, qytetarët shprehin skepticizëm për kohëzgjatjen e realizimit të projektit.

    “Ajo që di unë është se kjo rrugë vështirë të zgjerohet. Kjo duhet të ishte bërë para 30 vjetësh të mos lejohej ndërtimi dhe të bëheshin 6 korsi dhe të mos mbetej me dy korsi nga të dyja anët.”

    “Nëse ka organizim të mirë, dy vjet për realizim të atij projekti janë shumë. Këtu ka shumë probleme me dokumentet. Ka pronë është e vakëfëve e xhamisë. Ka shtëpi, problem është.

    “Ky problem duhet të zgjidhej që më herët, përse nuk e kanë zgjidhur nuk e kuptoj.”

    Në rrjetet sociale është publikuar vetëm një fotografi e projektit ku shihet se plani është që ky bulevardi të bëhet me gjashtë korsit, ndërsa projekti plotë do të promovohet ditët në vazhdim nga dy kryetarët. Projekti duhet të dalë në gazetën zyrtare dhe më pas i njëjti duhet të kalojë edhe në Këshillin e Komunës së Çairit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    BE-ja planifikon rritjen e fondeve para aderuese për vendet e Ballkanit, kërkon dhe çrrënjosjen e korrupsionit

    Lajmi i rradhës

    Nxënësit, të pavendosur për arsimin e mesëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë