Dauti: Alternativa edhe Lëvizja Besa e kanë prerë në besë ASh-në, garojmë vetëm në zgjedhje

    Ilire Dauti nga ASh në Klan M ka hedhur akuza ndaj partive opozitare shqiptare si të pabesa në raport me ASh-në. Sipas saj, edhe Alternativa edhe Lëvizja Besa e kanë prerë në besë ASh-në në zgjedhjet e kaluara. Prandaj, sipas saj, kjo parti duhet që të garojë e vetme në zgjedhjet e 8 majit, përcjell Nistori.

    “ASh nuk është krijuar që të ngjajë me dikë. Prandaj meqënëse nuk e gjeti këtë bashkëpunëtor me të cilin do të mund t’i bashkonin forcat me korrektësi dhe ashtu siç iu ka hije shqiptarëve, atëherë ASH-së i mbetet të shkojë e vetme në zgjedhje”, u shpreh Ilire Dauti.

    Taravari ka mbledhur 80 nënshkrime? – Dauti: Koha e mbledhjes së nënshkrimeve i takon të kaluarës!

    Dauti u deklarua se në organet partiake nuk ka ardhur asnjë ofertë koalicionimi për zgjedhjet parlamentare. Prandaj sipas saj, nënshkrimet e mbledhur nga kreu i partisë, Arben Taravari nuk mund të jenë të vlefshme.

    “Në ASh në momentin që po flasim nuk ka ofertë se për çfarë mund të nënshkruajnë anëtarët e Kuvendit të ASh-së… ne nuk kemi propozuar kryetar partie në rrjete sociale dhe as ai neve nuk na ka propozuar në rrjete sociale”, shprehet Ilire Dauti.

    Dauti: Ka munguar transparenca nga takimet e kryetarit me subjektet tjera

    Sipas deputetes Dauti nuk është mbledhur për një kohë të gjatë dhe nuk ka diskutuar për bisedimet që kreu i partisë i ka zhvilluar me subjektet tjera. Ajo shtoi se ka pasur mungesë transparence nga ana e kryetarit të ASH-së dhe se ai është dashur në këto takime të marrë me vete edhe përfaqësues tjerë nga kryesia.

    “Ajo që ne e konsiderojmë shumë serioze dhe shkelja që është bërë në këtë rast është që Kryesia e partisë ka një qëndrim, thuajse unanim, që ASH të garojë e vetme në zgjedhje. Në ndërkohë që ky është qëndrimi i partisë, unë besoj se askush nga ne individualisht nuk e kemi të drejtën, pa mos e rrëzuar këtë qëndrim të marrim dhe të ndërtojmë një qëndrim dhe propozim tjetër”, tha mes tjerash Dauti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Taravari sonte para banorëve të Gostivarit: zëri i popullit është për bashkëpunim me opozitën

    Lajmi i rradhës

    Mitreski: zgjedhjet presidenciale do të shpallen më 14 shkurt, bashkë me ato parlamentare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë