Dauti: Halil Snopçe votoi i “Përmbajtur” në Ligjin për branitellat – ky i fundit e mohon

    Deputetja Ilire Dauti nga radhët e Aleancës për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, ka kërkuar nga deputeti i ASh-së – krahu i Arben Taravarit, Halil Snopçe që të kërkojë falje publike sipas Dautit, për shpifje se ajo paska votuar për Ligjin e branitellave. Sipas Dautit, ishte pikërisht Snopçe që votoi i Përmbajtur në seancën 143 për rendin e ditës, ku ka qenë edhe Ligji për branitellat, shkruan Nistori.

    “Halil Snopçe i cili kur është dashur të deklarohemi për Ligjin për Branitellat, nuk ka votuar fare (nuk e ka kundërshtuar), ndërsa unë Ilire Dauti dhe kolegët e tjerë shqiptar kemi votuar kundër. Deputeti Halil Snopçe paturpësisht merr për bazë gjithë seancën për të më akuazuar për Ligjin për branitellat, për të cilin po e përsëris une kam votuar kundër e ai edhe pse ka qenë në seance nuk ka votuar fare. Për ta mbuluar turpin trillon shpifje, gënjeshtra dhe ofendime. Turp! Qëndrimi i deputetit ndaj ndonjë ligji kuptohet me votën ndaj atij ligji konkret, ashtu siç ndaj ligjit të branitellave vota ime është kundër ndërsa Halil Snopçe edhe pse ka qenë prezent nuk ka votuar aspak, ndërsa rendi i ditës zakonisht permban disa ligje të cilat mund të jenë në interes të qytetarëve”, tha në Kuvend Dauti.

    Për dijeni të opinionit, Dauti thotë se në komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, gjatë debatit për Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, deputeti Halil Snopçe, votoi kundër shpejtimit të këtij komiteti, tentoi të mashtrojë, por zbuloi një turp edhe më të madh për veten.

    “Ai shpifi ndaj meje se gjoja unë paskam votuar për ligjin e branitellave në rend dite, por me listingun e votimit gjatë seancës plenare doli në shesh se gjatë propozimit për futjen e këtij ligji me procedurë të shkurtuar, deputetët e ASH-së dhe Frontit Europian kanë votuar kundër, ndërsa deputeti Halil Snopçe edhe pse ka qenë prezent nuk ka votuar fare. Ai tentoi të manipulojë duke keqpërdorur votimin për rendin e ditës, ku ne kemi votuar në tërësi pasi në atë rend dite kishim pikat e propozuara nga ana jonë e që janë në interes të shqiptarëve dhe qytetarëve në përgjithësi. Pra thënë shkurt, për të mbuluar votën e tyre kundër përshpejtimit të komitetit, Snopçe duke dashur të më etiketojë mua, nxiti të vërtetën e hidhur për vete, se vetë ai nuk ka dhënë votë kundër ndaj Ligjit për Branitella. Turp i trefishtë”, përfundoi Dauti në fjalën e saj në Kuvend.

    Nga ana tjetër, deputeti Snopçe ka reaguar në Facebook se, Fronti Europian në mandatin e kaluar, gjatë seancës së 143 të Kuvendit ka votuar rendin e ditës ku njëra ndër pikat ishte edhe ligji për “branitellat”.

    “Sot më akuzuan për mashtrim, bile nxorën do stenograme që nuk kanë pasur lidhje me këtë. Bile më ftonin të kërkoj falje. Sinqerisht nuk besoj se e kanë me seriozitet. Më duket se aktrojnë dhe është në suaza të strategjisë opozitare. Nëse unë paskam votuar për atë rend dite, atëherë i bie që kam dhënë përkrahje për shkarkimin e ministrave Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti. Pra, këto të frontit paskan qenë kundër shkarkimit, ndërsa unë pro shkarkimit të tyre. Kjo pasi shkarkimi i ministrave dhe ligji për “branitellat” ishin në të njëjtën seancë”, shkruan Snopçe.

    Snopçe thotë se si mundet që të ketë votuar për atë rend dite, ndërsa këta të Frontit qenkan kundër. Imagjinoni deri në çfarë shkallë shkon shpifja e tyre. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    DASh: korrupsioni është problem serioz në RMV

    Lajmi i rradhës

    NJERËZIT JANË TË ÇUDITSHËM

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë