Sonte në Shkup jepet premiera e shfaqes “Nyjat” – drama që trajton “nyjat” e kohës që po jetojmë

    Sonte në ora 20:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup do të jepet premiera e shfaqes “Nyjat” me autor Refet Abazi nën regjinë e Kushtrim Bekteshit. Kjo dramë e shkruar në vitin 2015 do ta përjetojë premierën botërore duke u inskenuar për herë të parë në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, shkruan Nistori.

    EKSPLIKACION REGJISORIAL PËR SHFAQJEN “NYJAT”

    Drama “Nyjat” nga Refet Abazi proekton një fotografi komplekse dhe të trishtë të kohës që po jetojmë, duke trajtuar ‘nyjat’ në fatet e shumë personazheve, të cilët në vorbullën e kohës kanë humbur harmoninë shpirtërore dhe kontaktin me vetveten dhe të vërtetën. Në gjithë strukturën e dramës si lajtmotiv ndjehet lufta e pakompromis në mes të mirës dhe të keqes, dritës dhe errësirës, luftë që manifestohet në dy rrafshe: në rrafshin individual të secilit personazh, edhe në një rrafsh pothuajse metafizik mes Zotit dhe djallit – apo më saktë mes Ustait dhe Predikuesit dhe gjithë asaj që këta dy personazhe perfaqesojnë.

    Martesa dhe divorci, tradicionalja dhe modernia, realiteti dhe iluzioni, profesionalizmi dhe ambicja e sëmurë, shpirtërorja dhe materialja, vlerat dhe antivlerat, ‘blerja’ dhe ‘shpëtimi’ i shpirtërave – të gjitha këto tema të rrafshit real dhe metafizik që i lëvron drama, e që shqetësojnë përditshmërinë tonë, do të trajtohen në shfaqje me një gjuhë të realizmit magjik në shprehjen artistike, duke ngjallur asociacione të qarta për publikun e sotëm dhe duke ngritur pyetje të shumta për jetën dhe aktualitetin tonë.

    SINOPSIS I DRAMËS “NYJAT” NGA REFET ABAZI

    Ustai, që në dukje është një mbledhës hedhurinash, endet nëper rrugët e një qyteti me qëllim që t’iu ndihmojë njerëzve të cilët të dhënë pas karrierës dhe të mirave materiale e kanë humbur lumturinë. Në këtë ‘mision’ të tijin, Ustai është në luftë të vazhdueshme me qëllimet e errëta të Predikuesit (personifikim i djallit), i cili duke qenë shumë i pasur dhe i pushtetshëm, përpiqet që t’i skllavërojë njerëzit pasi ua nuhat ambiciet e sëmura për para dhe pushtet dhe në këtë mënyrë ua ‘robëron shpirtërat’. Në këtë ‘garë gjahu’ të blerjes dhe shpëtimit të shpirtrave që zhvillohet mes Ustait dhe Predikuesit, shpalosen fatet e personazheve të tjerë të dramës, fate që ndërthuren me njëra-tjetrën.

    Genti, pasi ka bërë seks me Lean, e kupton se asgjë emocionale nuk ka ndodhur mes tyre, por e gjitha ka qenë vetëm një nevojë momentale e Leas për ta harruar burrin e saj Drenin, me të cilin janë duke përjetuar një krizë të thellë bashkëshortore pas lindjes së birit të tyre. Në anën tjetër, Dreni – një kardiolog me profesion, e dashuron shumë Lean dhe nuk dëshiron që ta humbasë. Nëna e Drenit, Zana, përveç që duhet të kujdeset për nipin e saj, është e detyruar të mbajë peshën e pleqërisë dhe sëmundjes së sklerozës së burrit të saj Bedriut, i cili jeton mes realitetit dhe humbjes së kujtesës dhe është në konflikt të pakompromis me mentalitetin e moderuar të gjeneratës së birit të tij dhe me gjithë fenomenet e kohës së sotme ku vlerat tradicionale të familjes janë harruar. Në anën tjetër, Lejla – e cila është e rritur në jetimore dhe tani ka arritur të bëhët shefe e një kompanie për shërbime juridike, në zyrën e saj e ka të punësuar Gentin, i cili ambicjen e tij të sëmurë për ngritje në karrierë përpiqet ta realizojë përmes joshjes së femrave të pushtetshme. Genti pasi dështon në përpjekjen për ta joshur shefen e tij Lejlën, e pranon krahëhapur që t’i shërbejë Prediukuesit dhe si konpenzim të këtij ‘robërimi’ të fitojë akces të palimituar të parave në bankë dhe ngritje të menjëhershme në pozitë.

    Menjëherë pas marrjes së pozitës së shefit në zyren për çështje juridike, Genti në shenjë hakmarrjeje e largon Lejlën nga puna. E lënë në rrugë, Lejlës i vjen në ndihmë njeriu që e ka shpëtuar në fëmijëri – Ustai, i cili fshehtas e ka ndjekur gjatë gjithë kohës dhe tani ia lë në trashëgimi gjithë tapitë e pronës së tij dhe misionin e shpëtimit të njerëzve dhe drejtësisë, meqë ai e ndjen se lufta e tij me Predikuesin ka arritur në një pikë vlimi ku shumë shpejtë mund të ketë edhe pasoja tragjike për jetën e tij. Predikuesi, meqë pas shumë përpjekjesh (edhe me ndërmjetësimin e Gentit) nuk arrin t’i thyejë bindjet e Ustait që të heq dorë nga tapitë e pronës së tij dhe nga misioni i tij për të qenë shembull i mosnënshtrimit, e ekzekuton Ustain në barakën e tij, duke e shfrytëzuar si mashë Gentin. Mirëpo, Predikuesi vonë e kupton se me vrasjen e Ustait nuk ka përfituar asgjë, meqë tapitë e pronës tani i trashëgon Lejla dhe ajo si juriste me përvojë do ta vazhdojë luftën dhe misionin e Ustait. E meqë Genti tanimë është i papërdorshëm për qëllimet e Predikuesit, ashtu siç ai e ka ngritur në pozitë, ashtu edhe e fundosë. Në ndërkohë, Lea përfundimisht e braktis Drenin, edhe përkundër përpjekjeve të tij për ta shpëtuar martesën. Ndërsa Zanës dhe Bedriut u ngelet barra e përkujdesit për nipin e tyre – djalin e Drenit dhe Leas.

    Edhe pas gjithë këtyre ‘nyjave’ që lidhen në fatet e personazheve, në një trajtë tjetër zëri dhe misioni i Ustait vazhdon të kumbojë në rrugët e qytetit për ta zgjuar ndërgjegjen e njerëzve dhe për t’i shpëtuar shpirtërat e tyre nga ambisi.

    Për shkak të numrit të kufizuar të biletave dhe interesit të madh, shfaqja do të jepet sonte, por edhe nesër (29.01.2022).

    CAST
    NYJAT

    Autor: Refet Abazi
    Regjisor: Kushtrim Bekteshi
    Skenograf: Betim Zeqiri
    Kostumografe: Emira Ymeri
    Kompozitor: Trimor Dhomi

    Luajnë:
    ADEM KARAGA
    FISNIK ZEQIRI
    BISLIM MUÇAJ
    TEUTA AJDINI
    AMERNIS NOKSHIQI
    OSMAN AHMETI
    SABINA MEMISHI
    MENTOR KURTI
    IBRAHIM XHEMAILI
    HETEM ETEMI
    RRAHIM RAMADANI
    ABEDIN ALIMI
    ERDI XHEMAILI

    Lajmi Paraprak

    Shqiptarët dhe komunitetet joshumicë janë të nënpërfaqësuar në gjykata, në prokurori dhe organet shtetërore të pavarura

    Lajmi i rradhës

    Vënia në funksion e Teleferikut, parkingjet dhe infrastruktura rrugore – kërkesat kryesore për Kodrën e Diellit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë