Dëmtimi i pronës publike në Gostivar, fenomen shqetësues

    Vjedhja dhe dëmtimi i pajisjeve urbane në territorin e Komunës së Gostivarit dhe jo vetëm, është një nga dukuritë që edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë përgjigje adekuate. Kjo është një nga goditjet më të pahijshme dhe të drejtpërdrejta që u bëhen pajisjeve urbane që janë vendosur për qytetarët. Punëtorët e higjienës publike, qoftë në Gostivar apo qoftë në Tetovë, për çdo ditë përballen me raste të dëmtimeve të ulëseve, kontejnerëve, ndriçimit publik, shportave për mbeturina e kështu me radhë.

    Nga Komuna e Gostivarit thonë se në pranverë e ardhshme, të gjitha pajisjet e dëmtuara do të rregullohen, ndërsa apelojnë deri tek qytetarët që edhe ata të kujdesen më shumë për të njëjtat, sepse pajisjet urbane janë vënë pikërisht për ata.

    “Në pranverë, Komuna e Gostivarit ka në plan të bëjë renovimin e të gjitha pajisjeve urbane që janë vendosur në hapësira publike. Në këto renovime përfshihen ulëset, shportat për mbeturina, këndet e lojërave për fëmijë dhe rekuizitat që janë vendosur gjithandej. Por, e gjithë kjo do të jetë e padobishme nëse të njëjtat nuk ruhen. Në bashkëpunim me Policinë dhe shërbimet inspektuese, do të punojmë edhe më shumë në ngritjen e vetëdijes, por edhe masave ndaj atyre që dëmtojnë këto të mira materiale në qytetin tonë”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

    Së fundmi, në këtë qytet ishte vendosur edhe një vepër arti, e quajtur “Metafora e lirisë”, e punuar enkas për qytetin e Gostivarin e cila edhe ishte vendosur në parkun e qytetin. Por e njëjta nuk u ka shpëtuar dot mbishkrimeve fyese. Mbishkrimet fyese nga ana tjetër një kohë të gjatë janë pjesë e përditshmërisë në këto dy qytete dhe deri më tani askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Nga pushteti lokal në Gostivar janë shprehur se në fillim të vitit të ardhshëm, do të vendosen edhe kamera të sigurisë në parkun e qytetit që do të jenë edhe një preventivë shtesë për mos dëmtimin e pronës publike.

    Kjo, pritet që të sjellë më shumë siguri për qytetarët e të gjithave moshave që kohën e lirë e kalojnë në këtë park, ndërsa i njëjti frekuentohet edhe nga nxënësit e tre shkollave të mesme të Gostivarit. Nga ana tjetër, punëtorët e higjienës publike, qoftë në Gostivar qoftë në Tetovë, humbin shumë kohë duke u marrë me këtë dukuri, pasi puna primare për ta është mirëmbajtja e pastërtisë publike dhe jo rregullimi i pajisjeve urbane të dëmtuara. Krahas kësaj, kjo ka kosto edhe materiale dhe dëmton buxhetin e pushteteve lokale, kur dihet se komunat mezi arrijnë të sigurojnë buxhet për rregullimin e vendeve publike. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjobat nuk kryejnë punë, vazhdojnë parkimet vend e pavend në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    RMV, zvogëlohet numri i martesave dhe rriten divorcet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë