Viteve të fundit në Dibër është prezent dëmtimi dhe vjedhja e shenjave të komunikacionit. Dukuria në fjalë drejtpërdrejt cenon sigurinë në komunikacion, por deri tani nuk ka informatë zyrtare se ndokush është dënuar për këtë aktivitet joligjor. Për fat të keq edhe këto ditë kur rrugët në Dibër janë përplot me automjete dhe këmbësorë për shkak të prezencës të mërgimtarëve, problemi vazhdon të jetë aktual. Vetëm për disa ditë janë dëmtuar dhe vjedhur mbi dhjetë shenja komunikacioni, prandaj me të drejtë komuna ashpër ka reaguar në lidhje me dukurinë duke kërkuar nga institucionet kompetente të gjejnë fajtorët.
Në disa rrugë të qytetit këto ditë janë dëmtuar shenjat të komunikacioni, por ka edhe raste kur ata janë edhe vjedhur. Kjo situatë normalisht shkakton probleme në komunikacion. Komuna Dibër ka informuar se bëhet fjalë për një shqetësim të madh, me që ndikon në sigurinë në komunikacionin në rrugët e qytetit. Në këtë drejtim pushteti vendor ka informuar se dukuria përsëritet me vite dhe kërkon gjoba ligjore për shkelësit. Kryetari i Dibrës Hekuran Duka ka deklaruar se fenomeni i shkatërrimit dhe vjedhjes së shenjave të komunikacionit në qytet, është shpeshtuar.
“Rastet vazhdojnë të paraqiten në organet kompetente për të marrë masat e duhura ligjore. Të shpresojmë që të gjenden keqbërësit dhe të marrin ndëshkimin ligjor”, potencon Duka. Për këtë problem pushteti vendor është në kontakt edhe me institucionet e tjera kompetente. Dukuria është debatuar edhe në komisionin lokal për siguri në komunikacion. Thuhet se janë vepra antiligjore të cilët mund të shkaktojnë problem dhe pasiguri në komunikacion. Eksperti i kësaj sfere prof. Abdul Koleci thotë se dëmtimi dhe vjedhja e shenjave të komunikacionit është një vepër e rëndë. Është një problem që përsëritet dhe duhet të ndëshkohet, shton ai. Këtë dukuri e dënojnë edhe autoshkollat që veprojnë në Dibër. Përfaqësues të shkollave që trajnojnë kandidate për vozitës potencojnë se gjatë trajnimit kanë probleme meqë në disa pjesë të rrugëve në Dibër shenjat nuk ekzistojnë. Ata shtojnë se dukuria përsëritet por nuk kanë dëgjuar se ndokush është dënuar për këtë aktivitet joligjor. Dëmtime të shenjave ka edhe në aksi rrugor që lidh Dibrën me vendkalimin kufitar “Bllatë”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Sipas komisionit për siguri në komunikacion pranë pushtetit vendor në Dibër, dëmtimet më të shpeshta të shenjave të komunikacionit janë në bulevardin “Iliria”, në rrugët në hyrje to qytetit të Dibrës nga Shkupi dhe Struga, në rrugën “8 shtatori”, si dhe në disa rrugë periferike. Meqë nuk ka ndonjë informatë zyrtare nga organet kompetente se kush bën dëmtimet dhe vjedhjet të shenjave në fjalë, përflitet se janë të rinj të cilët dëmtojnë shenjat gjatë natës pa ndonjë qëllim por atë e bëjnë nga mungesa e kulturës familjare, por ka edhe grupe të cilët i vjedhin shenjat e komunikacionit për t’i shitur për skrap. /Koha/