Pasi Gjykata Themelore në Strugë dhe Gjykata e Apelit në Manastir, u shpallën jokompetente, çështja e deponisë ilegale pranë Strugës zyrtarisht kaloi në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg, pas 4 viteve endje nëpër labirintet gjyqësore të vendit. Shoqata maqedonase e avokatëve të rinj po padit komunën e Strugës, Ndërmarrjen publike komunale të Strugës dhe Ministrinë e Mjedisit për mosveprim për të zgjidhur këtë problem serioz, me të cilin përballen banorët e Strugës gjatë vite. Ata kërkuan që Gjykata të ndalojë hedhjen e mëtejshme të mbeturinave ndërsa zona të pastrohet dhe të rivitalizohet
“Ideja e shoqatës është që sa herë që ndonjë procedurë vendore para gjykatave kombëtare dështon, ajo të shkojë para Gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut, sepse ne besojmë se vetëm në këtë mënyrë mund të operacionalizohen të gjitha ato standarde që vetë Gjykata evropiane ka vendosur në disa vendime në këtë fushë”, deklaroi Bojan Tërpeski.
Kërkohet që Gjykata e Strasburgut të përcaktojë shkelje të së drejtës për jetë private dhe familjare, si dhe shkelje të së drejtës për mjet juridik efektiv.
“Me këtë aplikim, kërkojmë shkelje të së drejtës për qasje në gjykatë, pra gjykim të drejtë. Nëse një shkelje e tillë konstatohet nga Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut, atëherë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Procedurën Civile, ne mund të kërkojmë përsëritje të procedurës para gjykatave vendore, me kusht që këtë herë gjykatat vendore do të kenë detyrimin të bëjnë zgjidhje thelbësore të asaj që është deklaruar në padi ku gjykatat vendase nuk do të kenë mundësinë të thirren në mungesë kompetence në rastin konkret”, tha Gligorie Qatoski- avokat.
Deponia ndodhet 500 metra larg shtëpive të para në Strugë dhe pranë liqenit të Ohrit kurse më shumë se 40,000 ton mbeturina të të gjitha llojeve depozitohen çdo vit. Ai mbulon sipërfaqe prej katër fusha futbolli. Hedhja e mbeturinave në këtë vend filloi në vitin 2006, si zgjidhje e përkohshme, por ka mbetur deri më sot. Deponia është më shumë se 18 metra e lartë dhe gërmimi është bërë në thellësi prej rreth 10 metra. Kryetari Merko ka premtuar vazhdimisht zgjidhjen e problemit dhe zhvendosjen e tij diku tjetër, por banorët e Strugës kanë marrë vetëm fjalë boshe. /Alsat/