Hynë në fuqi ndryshimet e ligjeve për punonjësit në sektorin publik, pas votimit në Kuvend javën e kaluar. Ndër të tjerash ato parashikojnë që dhuratat me vlerë deri në 50 euro lejohen të merren nga punonjësit e sektorit publik pa u konsideruar ryshfet. Gjithashtu, Ligji thotë se punonjësit nuk mund të kërkojnë ose të marrin dhurata që lidhen me punën e tyre, me përjashtim të dhuratave protokollare dhe të rastit me vlerë më të ulët.
Dhurata me vlerë më të ulët konsiderohen ato që nuk e kalojnë shumën prej 3.000 denarësh ose dhuratat e marra nga i njëjti person, vlera totale e të cilave nuk i kalon 4.000 denarë në vit. Deri më tani, dhuratë me vlerë më të ulët konsiderohej një dhuratë deri në 1.000 denarë.
Megjithatë, ligji përcakton se punonjësit janë të detyruar t’i paralajmërojnë donatorët për dhuratat protokollare ose dhuratat me një vlerë të caktuar se ato bëhen pronë e institucionit, pasi të jenë regjistruar më parë në regjistrat e dhuratave.
Ligji me flamur evropian kaloi në një seancë parlamentare në fund të këtij muaji. “Qëllimi i këtij Projektligji për Punonjësit në Sektorin Publik është gjithashtu harmonizimi me parimet, standardet dhe rekomandimet evropiane. Ligji për Nëpunësit Administrativë është parashikuar në Programin Kombëtar për Miratimin e së Drejtës së BE-së dhe është në përputhje me parimet e SIGMA-s”, thonë nga Ministria e Administratës Publike.
Si në Ligjin aktual ashtu edhe në atë të ri, për punonjësit e Sektorit Publik, propozohet që ndalimet dhe kufizimet për marrjen e dhuratave të zbatohen edhe për bashkëshortin/en e punonjësit të sektorit publik, për personat që jetojnë së bashku me punonjësin e sektorit publik në një marrëdhënie jashtëmartesore, për fëmijët e tyre, prindërit dhe për personat që jetojnë në të njëjtën familje.
Punonjësit e sektorit publik janë të detyruar të paralajmërojnë donatorët se dhuratat protokollare dhe dhuratat me vlerë më të ulët bëhen pronë e institucionit. Të dhënat mbi dhuratat e marra, vlerën e tyre, donatorët dhe rrethana të tjera shënohen në regjistrat e dhuratave pas deklarimit nga punonjësi i sektorit publik. Punonjësit e sektorit publik janë gjithashtu të detyruar të deklarojnë të dhënat që duhen shënuar në rastet e përmendura në paragrafin (4) të këtij neni.
Gjithashtu, në Maqedoni zyrtarët e qeverisjes qendrore dhe lokale kanë kufizime të rrepta për vlerën e dhuratave që lejohen të marrin. Për ata që mbajnë pozicionet më të larta ekzekutive, kufiri për dhuratat protokollare të huaja është 50 euro dhe 20 euro për dhuratat vendase.
Sipas analizave, Komisionerëve të BE-së nuk u lejohet të pranojnë dhurata me vlerë që tejkalon 150 euro. Përndryshe, ata duhet t’ia dorëzojnë ato protokollit, i cili mban një regjistër të dhuratave të dhëna dhe identitetin e dhënësit. /Koha/