Dëshmitarja rrëfen se si manipulohet me terapitë e kancerit në Onkologjinë në Shkup!

    Stafi mjekësor në Klinikën e Onkologjisë rrëfen dëshmi rrëqethëse se si manipulohet ndaj pacientëve me barnat kundër kancerit.

    Në rrethana anonimiteti, njëra nga të punësuarat në atë klinikë na tregon se terapitë nuk u jepen të plota pacientëve, por gjysmën e ampulës e lënë për ta shitur privatisht.

    Ajo tha se 6 nga 20 doktorët që japin terapitë e shtrenjta mijëra euro bëjnë manipulime të tilla dhe sipas saj në repartin e spitalit ditor ka hapësirë të posaçme nga dera pasme që futen pacientët që paguajnë.

    “Varet çfarë terapie apo hemo-terapie merr pacienti, psh nëse merr imuno-terapi varet nga doza, dhe nganjëherë u ndahet, nganjëherë nuk u jepet doza e plotë që duhet për pacientin, a kanë tmerrësisht nevojë. Nuk i japin të gjitha sepse i ruajnë për pacientët tjerë që i ndërmarrin me shpenzimet e tyre apo nuk e di +/- diçka nga pjesa brenda. Psh vjen ndonjë pacient privat dhe i japin gjysmën e terapisë që e kanë ndarë nga pacienti tjetër, i cili ka pasur më tepër nevojë nga ai, por varet nga cili interes bëhet”, tha një dëshmitare në kushte anonimiteti për Alsat.

    Sipas të punësuarës në Onkologji, në mënyrë më flagrante bëhen gjërat në turnin e natës. Terapitë e shtrenjta kundër kancerit jepen me nënshkrim të kryqëzuar të drejtorit, të specialistit dhe të motrave kryesore. Ajo thotë se këtë denoncim e bënë nga dhembshuria për pacientët të cilët vuajnë.

    “Është e saktë të vijnë nga jashtë për të marr terapitë. Kur? Në ndërrimin e tretë gjatë kujdestarive. Është katastrofë ajo që ndodh te ne, më tepër në Onkologji ku pacientët kanë nevojë më shumë për përkrahje. Ka gjithçka aty, për të mos u thënë ato që nuk duhet thënë, ka nga ata që marrin para në zarf! Nga kush? Pas shpine! Nuk e di, nga zyra e financave kush iu jep paratë, motrave medicinale, doktorëve. Të drejtohen disa punë, të mos enden njerëzit për terapi mos të presin kur ka dhe mund ti marrin më herët për ta shpëtuar jetën”, thekson tutje dëshmitarja.

    Në Klinikën e Onkologjisë prej ditësh nuk ndalojnë denoncimet për keqpërdorime të mundshme. Një letër anonime tregon se ka dyshime se janë aktiv në sistem njerëz të vdekur para disa vitesh që shkruhen terapi në emër të tyre.

    Problemi tjetër është kapja në flagrancë për ryshfet si dhe skandali kryesor mungesa e terapive kundër kancerit që për tre muaj u desh të shtohen 5,5 milion euro për të mbushur zbrazëtirën. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mund të mbyllen restorantet dhe kafenetë në Ohër, shkak kriza ekonomike dhe energjetike

    Lajmi i rradhës

    Koha kur duhet ta pastroni shtëpinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë