Në Maqedoni të rinjtë deri në moshën 18 vjeçe kalojnë 11 vite shkollë, por mësojnë si për 7.3. Ata arrijnë potencialin njerëzor deri në 56 për qind, krahasuar me shtetet e BE-së, që është deri në 74 për qind. Një prej katër të rinjve në vend nuk janë të punësuar, as të përfshirë në arsim apo trajnim ndërsa më shumë se gjysma e tyre, mendojnë ta lënë shtetin. Të dhënat i përmban një hulumtim i realizuar nga Agjencia për Rini dhe Sport për nevojat e strategjisë rinore.
“Qëllimi kryesor i strategjisë është të përmirësojë pozitën e të rinjve në shoqëri dhe të ju mundësojë atyre realizimin e të drejtave. Ta harrojmë pikëpamjen për të rinjtë si një kategori pasive e qytetarëve të cilës i mungon dija për shkak të moshës dhe nuk i lejohet që të jetë aktive dhe e përfshirë në vendimmarrje. Strategjia Nacionale e potencon të drejtën e të rinjve për pjesëmarrje, zbatim të politikave të cilat janë në interes të tyre dhe i njeh ndryshimet të cilat i nxit koha e tyre dhe të cilat krijojnë forma të reja të pjesëmarrjes qytetare”, u shpreh Naumçe Mojsovski, Agjencia për Rini dhe Sport.
Mes tjerash, fokusi i kësaj strategjie do të jetë pjesëmarrja e të rinjve, informacione për të rinjtë, puna rinore, arsimi, kultura, shëndetësia, mbështetja e sipërmarrjes dhe siguria, përkatësisht dhuna. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, këtë strategji e konsideron si dokument serioz dhe jo vetëm regjistër të dëshirave të të rinjve në vend.
“Serioziteti i kësaj strategjie merr rëndësi me atë që në thelbin e saj qëndron një procedurë empirike e hulumtimeve për trendët rinore, e realizuar me 1,200 të rinj, e barabartë sipas rajoneve, të përfaqësuara janë tetë rajonet planore sipas të cilave janë të definuara edhe problemet dhe sfidat për të cilat strategjia ofron zgjidhje”, deklaroi Fatmir Bytyqi, zëvendës kryeministër për Çështje Ekonomike.
Kjo strategji është me kohëzgjatje pesë vjeçare dhe vjen si pasojë e dështimit në implementim të dy strategjive paraprake. Për këtë, nga Agjencia për Rini dhe Sport thanë se kësaj radhe do të ketë indikator për matjen e implementimit në të gjitha fushat e saja, edhe atë mbikëqyrja do të bëhet nga institucionet ndërkombëtare dhe vendase. Ndryshe, me të rinj sipas ligjeve në vend konsiderohen personat nga mosha 15 deri në 29 vjeçe. /Alsat/