Dhjetëra lëndë në arsimin profesional po ligjërohen me mungesë librash

    Drejtuesit dhe mësimdhënësit e shkollave ankohen për vështirësi të mëdha në realizimin e lëndëve profesionale, posaçërisht të profileve të reja që tashmë tre vjet u miratuan nga dikasteri i Arsimit.

    “I kemi diku 19 lëndë që përfshihen në drejtimet e makinerisë, janë vetëm tre libra që mësimdhënësit ligjërojnë prej atyre tre librave. Kurse, te drejtimet e Elektros është vetëm një libër ndërsa aty janë 11 lëndë që ligjërohen. Te mësimi praktik, deri tash, nuk ka pas asnjë libër edhe pse janë 9 lëndë. Te profilet e reja të vitit të parë, të dytë dhe vitit të tretë, nuk kemi asnjë libër, asnjë mjet apo asnjë tekst shkollor”, tha Zekirija Zekiri, nga QSHA “Boro Petrushevski”

    Adelon Ajdini ligjëron gjashtë lëndë profesionale të drejtimit komunikacion dhe shpedicion. Për asnjërën prej tyre nuk ka libër. Orën mësimore e organizon duke u dhënë shënime nxënësve dhe duke përkthyer materiale nga gjuhë të tjera.

    “Zakonisht ne mbledhim material që e kemi pasur në fakultet dhe prej internetit. Nëse në çdo lëndë mësimore do e kenë librin e caktuar dhe normalisht do e kenë shumë më të lehtë edhe të mësojnë gjatë orës mësimore. Kur ne ti kemi librat më shumë do të kemi interaktivitet ndërmjet nxënësit dhe profesorit, do e shqyrtojmë ndonjë temë të caktuar e jo një pjesë orës të na shkojë duke shënuar atë tekst”,  tha Adelon Ajdini, mësimdhënës.

    Ndërkohë, nxënësit ankohen se humbin shumë kohë ndërsa sigurojnë material në internet.

    “Ndonjëherë edhe nuk i kemi të gjitha informatat të shkruara në fletore dhe duhet të kërkojmë në internet apo edhe në ndonjë libër tjetër. Sepse, nuk mundemi të mësojmë vetëm prej fletores që kemi marr shënime në klasë”, nxënëse.

    “Duhet ta përkthejmë ndonjë mësim për ta pas më të qartë. Ka ndodhë në disa raste, prej në maqedonisht në shqip ose nga anglishtja e kështu”, nxënës.

    Ministrja e Arsimit, Milla Carovska tha se është në proces përgatitja e teksteve shkollore për arsimin profesional. Sipas Carovskës, libra do të sigurohen për lëndët ku ai është i patjetërsueshëm. Për lëndë të caktuara shkollat tashmë kanë marrë udhëzime nga Qendra për Arsim Profesional se si duhet realizuar orën mësimore./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Italia ndalon pagesat me para kesh mbi një mijë euro

    Lajmi i rradhës

    Arsye të rëndësishme përse duhet t’i konsumoni rregullisht lajthitë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë