“Dhomat akull, pagesa nën dorë, vonesa” | Si trajtohen shqiptarët në udhëtimet me tragete!

    Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës peripecitë e shqiptarëve në udhëtimet me tragete. Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën ankesa nga pasagjerë që udhëtojnë me tragetet Durrës-Bari dhe anasjelltas.

    Ata ankohen për kushtet me të cilat trajtohen, vonesa në oraret e lëvizjes, kushtet e brendshme apo edhe mbingarkesa. Madje edhe pagesat nën dorë te punonjësit e policisë dhe doganave.

    Një qytetar, i cili udhëtoi në mes të muajit dhjetor 2022 nga Durrësi për në Bari, Itali, duke prerë edhe biletën me kabinë, u ankua për kushtet e tragetit, kabinës. “Trageti për në Bari. Paguajmë gjithë ato lekë dhe plevitosemi. Ngrohjen nuk e hapnin dhe dhomat nxirrnin ajër të ftohtë. Njerëzit duke u ankuar të gjithë. Shefat e anijes me gjithë personelin gënjenin duke thënë që sapo të niset anija do të filloj ngrohja. Hollet dhe dhomat e personelit të ngrohtë me ngrohje qendrore, njerëzit që paguajnë lekët të plevitosur. Trageti është ‘RIGEL VII’ i kompanisë ‘Ventouris Ferries’. Kur shkoje dhe i thoje që nxjerrin ajër të ftohtë, vinin dhe ti mbyllnin, faqja e zezë” tha qytetari. Ai u ankua edhe për vonesat e shumta në nisje. “Në krahun tjetër, kamionët në radhë që në orën 15.00 në drekë për të kaluar në skanerët e doganës. Turp e faqja e zezë si trajtohemi. Nuk do t’ia dijë njeri, as Drejtoria Detare. Trageti në vend që të nisej në orën 23.00 u nis nga ora 02.05 të mëngjesit, pasi priste kamionët”, përfundoi ai.

    Pas ankesës së qytetarit, gazetarët e Fiks Fare udhëtojnë nga Durrësi për në Bari me të njëjtin traget, ‘RIGEL VII’. Nisja u bë mbrëmjen e datës 28 dhjetor 2022, në orën 23.00. Gazetarët bisedojnë me pasagjerë të ndryshëm, të cilët deklarojnë se për kalimin e të afërmve, nipit, s’i lanë të kalonin. “Mora pasaportat, futa 20 euro dhe më lanë të kaloja. Një shok i imi kishte babanë për të marrë për të festuar dhe i kërkonin garancinë dhe biletën e kthimit. Ai ju tha se kur kthehet se kanë vendosur dhe se unë babanë nuk e nxjerr nga shtëpia dhe do kthehet brenda 3 mujorit. E detyruan deri sa u dha 50 euro, për të kaluar drejtë Italisë” thonë pasagjerë. Ndërkohë, të tjerë deklarojnë se një shofer, i cili transportonte sasi të vogla rakie dhe vere e morën në një dhomë dhe sa pagoi e lanë “të lirë” me gjithë mallin.

    Më pas, gazetarët e Fiksit shkojnë në kabinën që prenotuan. Ashtu siç tha edhe qytetari, në atë kabinë nuk kishte ngrohje. Madje, mungonte sapuni në tualet dhe s’kishte mbulesë në krevatë. Fiksi bisedon me punonjës të recepsionit, të cilët deklaruan se “kur të niset trageti do të ndizet edhe i ngrohti”. Ndërkohë, për tualetet, thanë se “ashtu janë në të gjitha dhomat”. Por, edhe pas 3 orësh udhëtim, sërish kondicioneri në dhomë nuk ishte ndezur.

    Gazetarët shkojnë sërish te punonjësit e tragetit, ndërsa ata sjellin një person tjetër. “Kjo situatë ka disa javë që ndodh. Nuk punojnë kaloriferët. Nuk jeni të vetmit që ankoheni, po këtu nuk pyet njeri. Këtu i përcjellin njerëzit duke u thënë se kur të niset trageti do të ndizet i ngrohti. I gënjejnë. Po nuk pyet njeri. Edhe sot nuk je i pari, që ankohesh se kaloriferët nxjerrin vetëm të ngrohtë. Shyqyr që je vetëm në dhomë dhe merr kuvertat e krevateve të tjerë e mbulohesh, po ata që kanë dhomat e mbushura” thotë punonjësi.

    Ndërkohë, një pasagjerë tregon se ka udhëtuar para dhjetë ditësh dhe ka ngrirë nga i ftohti, pasi nuk punonin kaloriferët. Një tjetër pohon se në dhomën e tij nuk kishte ngrohje dhe kishte “ngrirë gjithë natën”. Fiksi pyet edhe në orët e para të ditës. Punonjësi i recepsionit pohon se e kanë marrë ankesën dhe se si kjo situatë janë edhe 3-4 dhoma të tjera. Në fund, për të “zgjidhur” këtë problem, i ofron gazetarit një kafe për tu ngrohur.

    Po në kthim? Fiksi udhëton me të njëjtin traget, kësaj herë nga Bari, Itali, në drejtim të Durrësit. Nisja u bë në orar, ndërkohë që pasagjerët treguan se çmimi i biletave është rritur. “Ky traget vonohet vazhdimisht në orare. Në verë nuk ke vende e njerëzit flaken të shtrirë në çdo vend. Madje edhe lartë tragetit. Këta e bëjnë se nuk kanë konkurrencë” thonë ata. Kamera e Fiksit filmoi dhjetëra pasagjerë që shtrihen në dysheme, korridore.

    Pas këtyre problemeve, Fiksi bisedoi me disa Agjenci Turistikë në Durrës, për vonesat e nisjes dhe kushtet e trageteve. Punonjësit e agjencive pranojnë se ka vonesa në nisjen e trageteve dhe në mbërritjen e tyre. Por sipas tyre, ata nuk njoftohen për problemat e nisjes. Nuk i dimë kushtet brenda.

    Gazetarët shkuan edhe te Kapiteneria e Portit të Durrësit. Punonjësit pranojnë se nisja e trageteve vjen si pasojë e kalimit në skaner të çdo mjeti. “Dogana dhe policia i çon makinat në skaner. Atje bëhet një radhë e gjatë. Kjo edhe që të fitojë ai i skanerit por edhe këta të doganës dhe policisë të heqin përgjegjësinë nga vetja” thonë ata. Fiksi bisedoi edhe me një përgjegjës të Policisë së Shtetit, që merret me sigurinë në Portin e Durrësit. Përgjegjësi pranon se vonesa vjen nga skaneri, pasi ka vetëm një pajisje dhe që kontrollon edhe mjete që vijnë nga doganat e tjera. Madje, në orët e lëvizjes së trageteve fusin në skaner dhe kontenierë, duke sjellë vonesa.

    Gazetarët interesohen edhe te zyra e firmës “Ventouris Ferries” në Durrës, për të pyetur për kushtet dhe vonesat. Edhe punonjësit e kësaj agjencie pranojnë se ka vonesa, por ia vënë fajin skanerit. Në lidhje me kushtet në tragete, thonë se kanë ngrohje por ndoshta “pasagjerët nuk dinë që t’i ndezin”. Por, Fiksi bisedoi me punonjës që operojnë në tragete dhe jo në zyra, të cilët pranuan se “kemi pasur probleme, s’kemi pasur ngrohje”.

    Të gjithë, institucionet apo edhe vetë firma, ia hedhin fajin njëri-tjetrin. Sipas tyre, “fajin e ka sistemi”, ndërkohë që më të prekurit janë qytetarët, të cilët vonohen me orë të tëra në terminale apo tragete për të shkuar në destinacion. /TCh/

    Lajmi Paraprak

    Krijohet testi që zbulon autizmin!

    Lajmi i rradhës

    Drogë në pakot e vitit të ri, autoritetet bullgare nisin hetimet ndaj shtetasit të Maqedonisë

    Lajme tjera

    Greva e lidhur nyje

    Qindra mijëra nxënës në Kosovë mbeten jashtë shkollave, në ditën kur do të duhej të niste java e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë