Shoqata e Edukimit dhe Kërkimit Shëndetësor – HERA ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të shëndetit mendor tek të rinjtë në Maqedoni, duke u bazuar në të dhënat e fundit nga studimi HBSC, i cili tregon se më shumë se gjysma e vajzave dhe pothuajse një e pesta e djemve në moshën 15-vjeçare përjetojnë humor të depresuar. Kjo situatë vjen si pasojë e një sërë faktorësh shqetësues që prekin jetën emocionale dhe sociale të adoleshentëve.
Ndikimi i dhunës nga bashkëmoshatarët, përjashtimi, ngacmimi në internet dhe presionet e ndryshme sociale janë ndër arsyet kryesore që e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për të rinjtë të përballen me sfidat e përditshme pa pasoja të rënda psikologjike.
Dhunimi nga moshatarët nuk është vetëm një përvojë e dhimbshme momentale, por lë pasoja afatgjata në mirëqenien mendore të fëmijëve dhe të rinjve.
Çdo formë e përjashtimit apo poshtërimit ndikon negativisht në vetëvlerësimin e tyre dhe në ndjenjën e sigurisë personale. Gjithnjë e më shumë raste të ankthit, depresionit dhe vetëizolimit janë duke u vërejtur në mesin e adoleshentëve, duke dëshmuar se shëndeti mendor i tyre po dëmtohet rëndë dhe shpeshherë në heshtje. Në këtë kontekst, HERA thekson se shëndeti mendor nuk është luks apo përparësi, por një e drejtë themelore që duhet të garantohet për çdo fëmijë, pavarësisht moshës, gjinisë apo prejardhjes.
Për t’iu përgjigjur kësaj krize në rritje, HERA ka ndërmarrë hapa konkretë përmes bashkëpunimit me Komunën Qendër, duke ofruar shërbime falas për mbështetje psikosociale dhe këshillim profesional. Këto shërbime janë të hapura për nxënësit, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit dhe janë të disponueshme çdo ditë pune me takim paraprak. Qëllimi është që çdo i ri që përballet me ndonjë vështirësi emocionale të ketë mundësinë të kërkojë ndihmë në mënyrë të sigurt, konfidenciale dhe pa frikë nga paragjykimi apo stigmë. Mbështetja e hershme mund të ndihmojë në parandalimin e problemeve më serioze dhe në ndërtimin e një gjeneratë të re që njeh dhe respekton veten dhe të tjerët.
Në kuadër të përpjekjeve për rritjen e ndërgjegjësimit, HERA, me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj, ka realizuar një mural të veçantë në muret e Shkollës Fillore “Koço Racin” në bashkëpunim me artistin Nenad Tonkin. Ky mural simbolizon mbështetjen, inkurajimin dhe solidaritetin në luftën kundër dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve dhe dhunës në familje.
Ai përçon mesazhin se askush nuk është vetëm dhe se ndihma ekziston për çdo fëmijë që ka nevojë. Për më tepër, murali përfshin edhe një linjë telefonike të dedikuar për këshillim dhe ndihmë, duke u shndërruar jo vetëm në një vepër arti, por edhe në një mjet jetik informimi dhe mbështetjeje për komunitetin shkollor dhe jo vetëm.
Në përfundim, HERA bën thirrje për veprim të bashkërenduar nga të gjitha palët e shoqërisë. Shkollat, prindërit, institucionet publike dhe organizatat joqeveritare duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar një ambient ku fëmijët dhe të rinjtë ndihen të dëgjuar, të mbështetur dhe të sigurt. Heshtja nuk është zgjidhje. Vetëm përmes dialogut të hapur, ndarjes së përvojave dhe qasjes së lirë në ndihmë profesionale mund të përballojmë sfidat që kërcënojnë shëndetin mendor të brezit të ri. /Koha/






