Dibër, probleme shkaktojnë vozitësit pa patentë shoferi

    Komuna e Dibrës së bashku me përfaqësuesit e institucioneve kompetente për sigurinë në komunikacion janë duke realizuar aktivitete të shuma që kanë të bëjnë me rritjen e vetëdijes së pjesëmarrësve në komunikacion.

    Komisioni komunal për siguri në komunikacion dhe policia në Dibër, kanë filluar organizimin e ligjëratave për rritje të vetëdijes së nxënësve dhe njëkohësisht kanë debatuar me nxënësit për problemet në sferën e sigurisë në komunikacion si nga ana e vozitësve, ashtu edhe nga pasagjerët. Si problem kryesor në këtë sferë paraqitet dukuria e pjesëmarrësve në komunikacion pa patentë shoferi, mosrespektimi i shenjave horizontale dhe vertikale, por edhe nevoja për rritje të vetëdijes se si duhet të respektohen rregullat, pasi ka mungesë edhe të sinjalizimit vertikal dhe horizontal në disa pjesë të qytetit të Dibrës.

    Kryetari i ri i Komisionit, Abdul Koleci, për gazetën Koha thotë se në gjimnazin e Dibrës “28 Nëntori”, nxënësit gjatë ligjëratës për siguri në komunikacion, veçmas janë interesuar për respektimin e sinjalizimit, i cili është shumë i dëmtuar, por kanë kërkuar edhe informata për mënyrën e mirëmbajtjes së rendit në sferën e trafikut si në qytet, ashtu edhe në fshatrat.

    “Nxënësit me një interesim të madh ndjekin ligjëratat, të cilët kanë për qëllim rritjen e vetëdijes së tyre për një siguri më të madhe në komunikacion. Gjimnazistët dibran veçmas kanë potencuar edhe nevojën për respektimin e sinjalizimit, por edhe për dukurinë e vozitjes pa patentë shoferi nga ana e të rinjve minoren. Ata kanë kërkuar respektimin të tërësishëm të rregullave në komunikacion, por edhe nevojën e sanimit të sinjalizimit horizontal dhe vertikal, i cili në qytet në shumë pjesë të tij është i dëmtuar dhe shkakton huti tek pjesëmarrësit në komunikacion”, potencon bashkëbiseduesi i jonë Abdyl Koleci, profesor universitar në sferën e komunikacionit.

    Ai shton se tani kur aktivitetet kanë nisur për rritjen e vetëdijes, shumë shpejtë ligjërata të këtilla do të mbahen edhe në tre shkollat fillore të Komunës Dibër. Për domethënien e respektimit të sinjalizimit si nga vozitësit ashtu edhe nga këmbësorët, ka folur para nxënësve të gjimnazit edhe kryeshefi i Organit për Punë të Brendshme në Dibër, Arben Dumani, i cili ka thane se respektimi i masave në komunikacion është kyç për sigurinë në komunikacion.

    Sipas të dhënave të Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, i cili mbulon edhe aktivitetet të OPM në Dibër, në kontrollet që bën policia në territorin të Komunës Dibër, shpesh janë kapur vozitës pa patentë shofer, vozitës të cilët kanë konsumuar alkool, automjete me shpejtësi të madhe jashtë normave të caktuara, si dhe lëvizje të këmbësorëve nëpër rrugët pa e respektuar sinjalizimin vertikal apo horizontal dhe dukuri të tjera që janë jashtë rregullave për komunikacion. Kur jemi te dëmtimet në sinjalizimit vertikal dhe horizontal, përfaqësuesit të Komisionit komunal kanë informuar se kanë marrë dritë jeshile nga udhëheqësia e pushtetit vendor që shumë shpejt të vendoset sinjalizim horizontal dhe vertikal atje ku është dëmtuar ose nuk ekziston, meqë pikërisht mungesa e sinjalizimit shkakton shumë probleme dhe pasiguri si për vozitësit, ashtu edhe për këmbësorët.

    Lajmi Paraprak

    Karposhi vendos rregulla të rrepta për ndërtimet

    Lajmi i rradhës

    Beogradi reagon pas njohjes së Kosovës nga Sudani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë