Në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë të cilët në aspektin social i mbulon Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër, gjatë vitit që kaloi ka një ulje të numrit të shfrytëzuesve të ndihmës sociale. Edhe pse bëhet fjalë për një ulje minimale në krahasim me vitin 2022, kjo ulje e shfrytëzuesve në krahasim me vitet që kaluan ka një përqindje të theksuar. Në institucionin të Qendrës për Punë Sociale theksojnë se në këtë drejtim ka ndikuar migrimi i popullatës por edhe realizimi i projekteve për punësime në dy komunat.
Drejtori i Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibërm Kreshnik Paçuku për gazetën Koha thotë se gjatë vitit 2023, numri i familjeve që kanë marrë ndihmë sociale ka qenë 750 me 2500 anëtarë të familjeve.
“Në krahasim me vitin 2022 kur ka patur 763 familje shfrytëzues të ndihmës sociale, në vitin 2023 ka vetëm 13 familje më pak, por në krahasim me 2021 kur pati të regjistruar 813 familje në listën e ndihmës sociale, ulja e numrit të familjeve që kanë pranuar ndihmë sociale është shumë e theksuar. Këtu ka një ndikim shumë të madh migrimi i popullatës nga komuna Dibër dhe komuna rurale Qendër Zhupë meqë popullata e re kryesisht ka vazhduar të migroj si në shtete të Unionit Evropian ashtu edhe në SHBA”, thotë drejtori Paçuku.
Ai shton se kanë ndikuar edhe disa projekte për vetëpunësim të cilët i kanë përfituar qytetarët dhe faktikisht ka patur një ulje të numrit që janë në listën e familjeve që janë me probleme sociale. Nëse bëhet një krahasim mes numrit të popullatës së përgjithshme me regjistrimin e fundit me të cilin në komunën e Dibrës ka diçka më shumë se 15 mijë banor dhe mbi 6 mijë banor në komunën Qendër Zhupë dhe 2500 = anëtarë të familjeve që marrin ndihma, të dy komunat faktikisht kanë një përqindje të madhe të anëtarëve të familjeve që marrin ndihmë sociale. Prandaj mund të thuhet se në Dibër dhe në Zhupë problemet sociale janë radikale. Duke marrë parasysh këto të dhëna ka një rritje të numrit që kanë kërkuar nga Qendra e që rrjedhin nga familjet me probleme sociale të ndihmës të njëhershme me para. Të dhënat e Qendrës thonë se kërkesa është rritur në vitin 2023 dhe janë dhënë gjithsej 350 ndihma të këtilla.
Duke marrë parasysh numrin e madh të anëtarëve të familjeve të cilët shfrytëzojnë ndihmën sociale mund të konkludohet se anëtarët e këtyre familjeve ballafaqohen me probleme të shumta që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, zgjidhjen e problemit të kulmit mbi kokë, shkollimit etj. Pikërisht këta probleme tek disa anëtarë të familjeve shkaktojnë probleme shëndetësore, përdorimin e alkoolit, por edhe tendencës që të përfitohet nëpërmjet lojërave të fatit. Dukurit në fjalë janë prezente si në Dibër ashtu edhe në Qendër Zhupë, thonë ekipet e Qendrës ndëkomunale për punë sociale në Dibër.
Qendra në fjalë me vëmendje analizon këta situata dhe ndërmerr aktivitete që kanë të bëjnë me tejkalimin e problemeve. Në këtë drejtim drejtori i kësaj Qendre, Kreshnik Paçuku thotë se ekipet të shërbimit të Qendrës realizojnë aktivitete të shumta dhe bashkëpunimi mes këtij institucioni me institucionet tjera është në nivelin e duhur.