Dibra në krizë: ikja e të rinjve rrezikon sektorët jetikë

    Viteve të fundit, për shkak të migrimit masiv të popullatës e veçmas të të rinjve, Dibra dhe fshatrat e saj po ballafaqohen me mungesën e kuadrove në shumë lëmi dhe krahut të punës në përgjithësi. Mungesa e kuadrove po njehet më së shumti në ndërtimtari, bujqësi, blegtori, sektori shërbyes, por edhe në disa sektorë të tjerë që deri vonë nuk kanë patur nevojë të madhe. Mes tyre është edhe sektori i veterinarisë dhe shumë shpejt do të ndodh kështu edhe me shëndetësinë meqë veçmë kemi mungesë të madhe edhe të mjekëve amë.

    Duke marrë parasysh këtë situatë, udhëheqësit dhe pronarët e institucioneve dhe biznese të shumta vazhdojnë që me kuadro të furnizohen nga Republika e Shqipërisë, sidomos me kuadro nga viset kufitare të Shqipërisë që janë në afërsi të kufirit me Maqedoninë e Veriut në rajonin e Dibrës.

    Stacioni i Veterinarisë në Dibër i cili pas sistemit monist, u privatizua, luan një rol shumë domethënës në mbrojtjen shëndetësore të bagëtisë. Ky stacion i veterinarisë posedon kushte shumë të mira, por kohëve të fundit ballafaqohet me mungesën e veterinerëve. Gjatë një vizitë në këtë stacion shëndetësor në Dibër, u informuam se një kohë të gjatë janë në kërkim për veteriner të diplomuar nga Shqipëria, pasi në Dibër nuk ka një të tillë. Drejtoresha e Stacionit të veterinarisë, Mejrem Mersim, na informoi se për shkak të nevojës të një veterineri të diplomuar për nevojat e stacionit , ka filluar procedurën për të angazhuar një kuadër të këtillë nga Shqipëria.

    “Në stacionin tonë në Dibër kemi nevojë për një veteriner të diplomuar dhe në Dibër dhe qytetet përreth Dibrës po ashtu nuk ka një të këtillë. Prandaj kemi filluar një procedurë për të plotësuar një vend të këtillë me një kuadër nga Shqipëria. Procedurat janë duke u realizuar dhe besojmë se angazhimi do të ndodh në përputhje me ligjet aktuale të vendit”, tregon drejtoresha Mejrem Mersim.

    Gazeta Koha merr vesh se kanë nis bisedimet për angazhimin e një veterineri me përvojë nga Maqellara, një vendbanim që gjendet në afërsi të kufirit me Dibrën. Stacioni i veterinarisë në Dibër, si në monizëm ashtu edhe në pluralizëm, luan një rol të madh në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve jo vetëm në Dibër, por edhe në rajonin ma të gjerë. Është një stacion modern me të gjithë pajisjet e nevojshme, të cilët së bashku me kuadrot, jep garanci për mbrojtje optimale të bagëtisë në Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë në rajonin e Rekës të Poshtme.

    Lajmi Paraprak

    Të rikthehet Pedagogjia në arsimin e mesëm në RMV

    Lajmi i rradhës

    Janari i këtij viti, më i nxehti në histori

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë