Dy shoqata qytetare që veprojnë në Dibër kanë përgatitur një projekt veror “Kampi Veror 2025” për të rinjtë, me qëllim që gjatë kësaj vere ata të kalojnë një aktivitet të organizuar në natyrë dhe në ujërat e Liqenit të Dibrës. Ky është një projekt që organizohet për herë të parë në Dibër dhe që ka marrë përkrahje shumë të madhe nga të rinjtë. Klubi i notit “Dibra” dhe Klubi “Kajak dhe Kamping Dibra” kanë njoftuar se tashmë kanë përfunduar aktivitetet përgatitore dhe pritet realizimi i projektit “DIBRA SUMMER CAMPING 2025”.
Udhëheqësit e të dy shoqatave, respektivisht klubeve, theksojnë se ky është një aktivitet që për herë të parë do të realizohet në Dibër dhe që do të shfrytëzojë maksimalisht diellin, ujin dhe natyrën gjatë kësaj vere. Kryetari i Klubit të notit “Dibra”, Ujkan Jani, i cili me sukses ka realizuar trajnime për mësimin e notit në pishinën e Dibrës vitet e fundit, si dhe kryetari i Shoqatës “Kayak & Camping Dibra”, Maksud Kërkulu, kanë informuar se këtë vit aktiviteti do të jetë më i organizuar.
“Klubi i Notit ‘Dibra’ dhe ‘Kayak & Camping Dibra’ janë bashkuar për të sjellë një eksperiencë të paharrueshme me lojëra në natyrë, edukim, kajak, not dhe shumë miqësi. Jemi të entuziazmuar dhe mezi presim të fillojmë këtë aventurë të veçantë verore”, thotë Jani dhe shton se, si aktivist i sportit në komunë dhe në rajon, beson se sipas programit, aktivitetet do të jenë shumë interesante.
Për herë të parë, këtë verë, në bregun magjik të Liqenit të Dibrës, do të zhvillohet një super aktivitet për fëmijët e moshës 10–14 vjeç. “Dibra Summer Camp 2025” – dielli, uji dhe buzëqeshjet do të mbushin çdo ditë. Agjenda pesëditore e kampit veror është shumë e pasur, informon Jani.
Jani dhe Kërkulu, për gazetën Koha, deklarojnë se qëllimi kryesor është që të rinjtë të largohen nga teknologjia, si telefonat dhe interneti.
“Presim pjesëmarrje edhe nga fëmijë të mërgimtarëve që do të kthehen në vendlindje gjatë verës me familjet e tyre”, shtojnë ata.
Gjatë pesë ditëve të planifikuara do të zhvillohen trajnime për teknikat e notit dhe lojërat në ujë, lojëra argëtuese në kamp, punë kreative në grupe në natyrë, informacione për kajakun dhe lundrimin në liqen, piknik në bregun e liqenit, aktivitete për mirëmbajtjen e pastërtisë së tij, si dhe aktivitete të tjera.
Gazeta Koha ka marrë vlerësime pozitive nga qytetarët për idenë e dy klubeve dhe për këtë kamp të parë veror. Të anketuarit theksojnë se kampi veror është një ide shumë e mirë. Agim F. thotë se do ta regjistrojë për pjesëmarrje djalin e tij 11-vjeçar.
“Janë aktivitete të koordinuara që japin efekte të shumta, si shëndetësore ashtu edhe edukative”, theksoi ai duke shtuar se Dibrës i kanë munguar aktivitete të tilla serioze për fëmijët. Besnik E., në lidhje me këtë aktivitet, thekson se kampi veror është një mundësi e madhe për afrimin e të rinjve.
“Përshëndes organizatorët. Këto aktivitete janë shumë të nevojshme dhe si të tilla duhet të kenë përkrahje nga të gjithë faktorët,” përfundon ai.