Dibra, “stacioni i lirë” i karburanteve për shqiptarët e Shqipërisë

    Pronarët e mjeteve automobilistike nga Shqipëria tashmë në mënyrë të vazhdueshme vijnë në Dibër dhe furnizohen me derivate të naftës. Ata mbushin automjetet e tyre me naftë apo benzinë, pasi çmimet e karburanteve janë më të lira për rreth 30 për qind, e në disa ditë edhe deri në 35 për qind. Këtë e deklarojnë shtetasit shqiptarë, të cilët njëkohësisht shtojnë se kolonat e automjeteve, si në hyrje ashtu edhe në dalje të Maqedonisë së Veriut, rriten çdo ditë, sidomos pas luftës në Lindjen e Mesme.

    Kjo u konstatua edhe gjatë prezencës së ekipit të gazetës KOHA në vendkalimin kufitar “Bllatë” afër Dibrës. Kolona në hyrje të Maqedonisë së Veriut ishte e gjatë. Pritja minimale ishte 60 minuta, ndërsa në disa momente arrinte edhe deri në 90 minuta. Situata është e njëjtë edhe në dalje drejt Shqipërisë. Arsyeja kryesore është çmimi më i ulët i derivateve në Maqedoninë e Veriut, pasi diferenca me Shqipërinë arrin deri në 60 lekë për litër, duke e bërë këtë një zgjidhje më të leverdishme. Ndryshimet e çmimeve ndërmjet dy vendeve po ndikojnë drejtpërdrejt në lëvizjet e qytetarëve, duke krijuar një trend të dukshëm të furnizimit jashtë vendit.

    Mediat shqiptare këto ditë theksojnë se, ndërsa në Shqipëri rritet numri i turistëve të huaj, shumë shtetas shqiptarë “bëjnë turizëm ditor në Maqedoninë e Veriut për të siguruar derivate me çmime shumë më të lira”. Burime të njëjta thonë se vetëm nga karburanti, nga Shqipëria dalin rreth 1 milion euro në ditë drejt vendeve fqinje, ose mbi 350 milionë euro në vit. Një “turizëm” i ri, ditor, pa bagazh dhe pa rezervime, por me një qëllim shumë të qartë: të gjejë një çmim më të arsyeshëm. Dhe nuk është vetëm nafta. Ushqimet janë bërë një tjetër arsye për të kaluar kufirin. Shqipëria tashmë ka çmime ushqimore në nivele mesatare të BE-së, ndërkohë që të ardhurat mbeten larg atyre standardeve, duke u renditur ndër të fundit në Evropë.

    Prania e shtetasve shqiptarë mban gjallë tregun në Dibrën e Madhe, thonë tregtarët dibranë. Përveç atyre që furnizohen me derivate në pikat e karburanteve, pothuajse çdo ditë Dibra vizitohet edhe nga shumë qytetarë shqiptarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kjo situatë ka krijuar një fenomen të ri. Rruga e Arbrit sjell çdo ditë shumë vizitorë, të cilët mbushin edhe çantat e tyre me ushqime, fruta dhe barna që janë më të lira se në Shqipëri.

    Në të dy anët e kufirit biseduam me shtetas shqiptarë për arsyet e pranisë së tyre në Dibër. Fehmi F. nga Peshkopia na tha se çdo fundjavë vjen në Dibër. “Mbush veturën me naftë, drekoj me familjen në Tavernën te liqeni dhe kthehem në Shqipëri. Disa herë, kur jam i lirë, meqë punoj në arsim, vij edhe me shokë që në Dibrën e Madhe të shijoj ushqimet tradicionale, sidomos skarën”, thotë ai.

    Në një veturë të tipit Benz takuam katër të rinj: Astritin, Mironin, Fuatin dhe Hashimin nga Maqellara. Ata tregojnë se në Dibër vijnë dy herë në javë. “Kryesisht vijmë për blerjen e karburanteve, por edhe për disa ushqime që janë më të lira në Dibër”, shtojnë ata. Megjithatë, ata reagojnë për pritjet e gjata në kufi. Sipas tyre, qeveritë në Tiranë dhe Shkup janë pajtuar për të zbatuar sistemin “një kontroll – një ndalesë” edhe në “Bllatë”, por deri tani nuk është bërë asgjë. “Presim nga një deri në dy orë”, thonë ata.

    Lajmi Paraprak

    Mungesa e kësaj vitamine ndikon ndjeshëm në imunitet

    Lajmi i rradhës

    “Boris Kidriç” në Tetovë, bulevardi që ende nuk merr formë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë