Digjitalizimi për shumë shkolla mbetet një tabu

    Foto Ilustruese

    “Përveç librit, fletores, shkumësit dhe dërrasës së zezë nuk kemi asgjë tjetër. Nuk kemi as laptop, as tablet, as smart tabela, në fakt edhe internet nuk kemi. “.

    Me këto pak fjalë, mësuesja Gjylsere Livareka përshkruan gjendjen dhe kushtet momentale të shkollës fillore periferike “Sami Frashëri” të fshatit Matkë të komunës së Sarajit. Ajo tha se zbatimi i konceptit të ri mësimor është i dështuar në këtë shkollë. Siç tha LIvareka procesi mësimor vështirësohet edhe më shumë për shkak se klasa e saj përfshinë nxënës të kombinuar nga klasa e parë, e dytë dhe e pestë.

    “Mendoj se asnjë përqind nuk mund të realizohet ai plan program. Duhet të kesh shumë kujdes, poashtu edhe fëmijët janë më të habitur, pyesin: mësuese a më the mua ose klasës tjetër edhe kështu që ora dhe minutat shkojnë shumë shpejt dhe është pak më vështirë. E di që edhe fëmijëve u vjen e mërzitshme ora që e mbaj, shkaku i kushteve por mundohem në maksimum të ngjyrosin diçka, të punojmë diçka me librin edhe me fletoren, me ato kushte që i kemi”- deklaroi Gjylsere Livareka, mësuese e klasë.

    “Dua t’i kem të gjitha gjërat e mira. Tavolina nuk është shumë e mirë. Dua të kem shumë mjete për në shkollë. Ne, këtu e kemi vetëm librin dhe fletoren”.

    “Ne duhet të koncentrohemi për mësimet tona, ata kërkojnë diçka për me mësu. Ndonjëherë na ngatërrohen edhe detyrat”.

    Ajo që e bën të veçantë këtë shkollë është klasa më dy dërrasa të zeza. Edhe në klasën e mësuesit Seadin Sulejmani mësojnë nxënës të kombinuar nga klasa e tretë dhe ajo e katërt.

    “Altin, ti duhesh të mësosh me libra digjital, apo? Po. E ti me çka po mëson? Me libra fotokopje. I ke bë të gjitha librat kopje? Po. S’kemi ne kushte për laptop. S’kemi me ble, a vëllait tim ti blej, a motrës time ose mua”.

    “Dëshiroj të jetë më e bukur, të ketë kushte të mira. Dimrit është më vështirë, bëhet më ftoftë edhe ndonjëherë kur bie shi hyn shiu brenda”.

    “Është shumë vështirë, njëra klasë kërkon kushte tjera e tjetra tjera. I kemi të gjitha librat kopje, tablet nuk kanë nxënësit, sipas kushteve. Së pari përqendrohem te klasa e tretë, I organizoj ato pastaj shkoj edhe te klasa e katërt. Ngatërrohen fëmijët, klasa e tretë ka dëshirë të përgjigjet në pyetjet e klasës së katërt. Kushte s’ka në këtë shkollë, kjo është, s’ka kushte”.

    Në shkollën periferike “Sami Frashëri” të fshatit Matkë mësojnë gjithsej 26 nxënës nga cikli i ulët fillor. Pastaj, mësimin e vazhdojnë në shkollën qendrore të fshatit Gllumovë. Përveç mungesës së mjeteve shkollore edhe objekti i shkollës është i vjetërsuar dhe i dëmtuar./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Paradoksi i Merkelit: Si e dobësoi Gjermaninë fuqia e kancelares

    Lajmi i rradhës

    Test akademik për nxënësit e shkollave të mesme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë