Dimri edhe më i vështirë me qentë endacakë

    Problemi me qentë endacak zgjidhet lehtë, por nevojitet vullnet nga ana e autoriteteve të komunës të Tetovës që më seriozisht t`i qaset këtij problemi. Kështu thonë veterinerët, të cilët në të kaluarën janë marrë me trajtimin e qenve endacak në Tetovë dhe jo vetëm. Ata thonë se nëse nuk merren hapa konkret atëherë pritet që të shtohet numri i qenve endacak në të ardhmen.

    “Kjo çështje duhet të punohet pa ndalë. Zgjidhje ka. Zgjidhja është si në të gjithë qytetet tjera por megjithatë deri sa ne presim nga qeveria se kur do të merr ndonjëherë ndonjë vendim ne nuk duhet ta lejmë në dorë të qeverisë se a do të ndërmarrin diçka apo jo. Ne mendojmë për kohën e tashme dhe ne nuk duhet ta ndalojmë punën në qytetin e Tetovës për arsye se po ndaluam brenda një viti nëse ka 150 ose 200 në vitin e ardhshëm ata do bëhen 400 ose 500. Ne mendojmë që zgjidhja është shumë e lehtë vetëm do të ketë vullnet për tu punuar. Kjo është e gjitha”, thotë Rami Selmani, veteriner.

    Zgjidhja është që qentë endacak të sterilizohen dhe të vaksinohen. Më pas, nuk do të ketë shtim të numrit të qenve endacak. Kështu mendohet zgjidhja nga ana e veterinerëve të cilët thonë se vitin e ardhshëm do të ketë probleme edhe më të mëdha. Gjatë dimrit qentë endacak mund të bëhen edhe agresiv për shkak të mungesës së ushqimit.

    “Nëse sterilizohen, vaksinohen ose kastrohen meshkujt dhe bëhen me çipa qentë, bëhet shumë e lehtë. Ne duhet të vazhdojmë punën që mos na rritet numri. Po nuk vazhduam, vitin e ardhshëm do të kemi problem të jashtëzakonshëm. Edhe andaj ligjet janë shumë decime. Vetëm duhet të ketë vullnet pune. Gjithçka premtohet dhe asgjë nuk punohet. Ne duhet të marrim masa para se të ndodh diçka. Tash në kohën e vjeshtës, vjen edhe dimri, ne do kemi rreziqe shumë të mëdha se verës. Sepse verës ka ushqime gjithandej. Ndërsa dimrit problemi do të jetë shumë i madh. Nëse shohin ndonjë grumbull qensh, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm sepse mund të sulmohen”, thotë Rami Selmani, veteriner.

    Ditë më parë, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, tha se komuna është duke punuar në këtë drejtim dhe se pritet që vitin e ardhshëm ky problem pritet që të jetë nën kontroll. Ndërkaq, në qytetin e Tetovës tashmë është ndërmarrë një aksion për grumbullimin e nënshkrimeve, ku përmes peticionit do të kërkohet nga komuna që të zgjidhë këtë problem.

    “Ju njoftojmë se jemi të rrezikuar shumë nga prania e qenve endacak në shumë lagje, jemi të rrezikuar nga sulmet e tyre ndaj fëmijëve,të moshuarve e kështu me radhë. Fëmijët tanë nuk mund të shkojnë dhe kthehen në shtëpi nga qentë endacak. Na është kufizuar liria e lëvizjes të gjithëve. Besojmë se edhe ju dhe familjarët tuaj janë në rrezik nga qentë endacak të cilët çdo ditë janë më agresiv. Nëse nuk mundeni ta zgjidhni vet këtë problem kërkoni ndihmë nga shteti. Nëse shteti nuk ju ndihmon na ke neve pas dhe do të dalim të gjithë bashkë me ty në protesta masovike. Ju njoftojmë se tashmë premtimet nuk bëjnë punë por duhet të merrni masa urgjente dhe të mbroni popullatën tuaj nga qentë endacak. Përveç rrezikimit të jetës sonë, qentë endacak tashmë kanë shkaktuar shumë dëme,sidomos në shpendët dhe shtazët tona që i kemi në oborret tona. Dëmet janë kolosale por nëse nuk meren masa dëmet mund të shndërrohen në tragjedi nëpër familjet tona”, qëndron në një reagim publik të lëshuar nga iniciativa për organizimin e peticionit për qentë endacak.

    Përderisa ende nuk ka një zgjidhje adekuate, qentë endacak vazhdojnë të sulmojnë dhe kafshojnë qytetarët e Tetovës. Pothuajse çdo të dytën ditë ka një rast të këtillë që denoncohet në polici. Sipas të dhënave zyrtare nga SPB-Tetovë ka më shumë kafshime edhe atë për rreth nëntë muaj në krahasim me vitin e kaluar. Deri më 26 shtator ka pasur 84 denoncime për kafshime nga qentë endacakë.

    Në vitin 2022 ka pasur 62 kafshime. Komuna e Tetovës për dy vite ka trajtuar vetëm 82 qenë endacakë, dhe kjo tregon se numri i qeneve në Tetovë është duke u rritur, ndërsa shumica e tyre janë edhe të pa vaksinuar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndihmojini të rinjtë t’i bëjnë ballë bullizmit

    Lajmi i rradhës

    Deri në sa vite mund të ndalohet lëvizja në zonën Schengen nëse punohet në ‘të zezën’?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë