Dita e katërt e bllokadës, palët mbeten të palëkundura

    Dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë, po vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga kamionët dhe veturat e vendosura nga banorët lokalë serbë edhe ditën e katërt, prej kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë vendimin e saj për reciprocitet me Serbinë për targat e automjeteve.

    Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme.

    Pavarësisht rënies së temperaturave dhe reshjeve të shiut, serbët lokalë kanë qëndruar gjatë gjithë natës së kaluar pranë automjeteve me të cilat kanë bllokuar rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të enjten se gjatë orëve të natës së kaluar nuk ka pasur incidente dhe se situata vazhdon të jetë e njëjtë sikurse edhe më parë.

    Sipas tij, në rrugët që çojn drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdon të ketë pengesa për qarkullim, ndërkohë që banorët lokalë kanë përforcuar pengesat në rrugë edhe me zhavor.

    Protestuesit po përkrahen nga liderët lokalë dhe nga Beogradi.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mërkurën u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të mbledhur në afërsi të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që të lirojnë rrugët e bllokuara.

    Ai gjithashtu ka theksuar se është i gatshëm që të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rast të një ftese nga Bashkimi Evropian dhe se Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit sa u përket targave, në qoftë se Beogradi do ta bëjë të njëjtën gjë për targat e automjeteve nga Kosova.

    Por, presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar se për të biseduar, gjendja duhet të kthehet ashtu siç ishte para 20 shtatorit.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”.

    Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./REL/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania nuk do t’ua paguajë më të pavaksinuarve kohën e karantinës

    Lajmi i rradhës

    Pse shishet kanë datë skadence kur uji nuk skadon?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë