DITA E VERËS – Ku i ka fillimet kjo festë?

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    14 marsi apo e njohur ndryshe si Dita e Verës solli një atmosferë ndryshe në lagjet e Strugës dhe rrethinës. Ashtu siç festohet me shekuj të tërë, fëmijët me shporta në duar duke thërritur ‘ciu, ciu’ në çdo shtëpi pritën për të marrë vezë dhe çokollata, për të mbushur shportat. Dita e Verës simbolizon ardhjen e ngrohtësisë, kthimin e zogjve shtegëtar, gjelbërimin dhe largimin e dimrit, thekson historiani Jakup Jakupi.

    ”Kjo festë e veçantë tradicionale, vjen nga paraardhësit tanë ilirët. Është festë pagane e percjellë brez pas brezi deri në ditët tona. Në trevat e Strugës, festa fillon që më 13 mars, ku nënat dhe grat bëjnë kuleqët, ziejnë misër dhe vezë dhe u vendosin fëmijëve verore. Nga ana tjetër fëmijët dalin për të mbledhur kukurekë dhe thanat e çelura. Në ditën e 14 marsit, fëmijët ngrihen në mëngjes me thana në duar dhe i zgjojnë të tjerët, ku dega e thanës është simboli i fortësisë. Gjatë tërë ditës fëmijët me shporta në duar, shkojnë shtëpi më shtëpi duke thirrur ‘ciu, ciu’, (gjë që simbolizon nxjerrjen e zogjve) dhe presin të marrin dhurata nga zonjat e shtëpisë. Ndërsa vendosja e verores (pe të bardh dhe të kuq) simbolizon ardhjen e pranverës, dhe heqja e verores bëhet kur shikojmë dallëndyshet dhe kur jemi të bindur se ka ardhur vera dhe të njëjtat i vendosim mbi trëndafil, – thekson Jakupi për Nistori.

    Por, Dita e Verës më së shumti festohet në Shqipëri, gjegjësisht në Shqipërinë e mesme ku edhe mendohet se i ka fillimet kjo festë. Elbasani është mikpritësi i shumë qytetarëve të vendeve të tjera. Atje festohet në përmasa edhe më të mëdhaja dhe tradicionale është gatimi i ballokumeve.

    Dita e Verës festohet edhe në disa treva të Kosovës, gjegjësisht në krahinën e Opojës me 19 fshatra shqiptare, mbi 1000 metra lartësi mbi nivelin e detit, në komunën e Sharrit, po ashtu edhe në lokalitete të tjera të Prizrenit e në jug të Kosovës. Në këto anë me blegtori të zhvilluar, ndër shumë bereqete që shtrohen në sofër janë mishi i qengjit dhe flija. Kjo festë bëhet me besimin se Dita e Verës sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore dhe ritet ndërlidhen me zgjimin e bimësisë, gjallimin dhe kalimin nga dimri në pranverë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Afërsisht 40 mijë turistë e kanë vizituar RMV-në këtë vit

    Lajmi i rradhës

    ASh akuzon MPB-në për diskriminimin dhe ofendimin që ua bën shqiptarëve në njësitin “Tigri”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë