Dita e fundit për Milazim Mustafën si anëtar i Këshillit Gjyqësor, pasi mandati i tij përfundon sot, që do të thotë se këshilli në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të funksionojë me nëntë anëtarë. Milazim Mustafa u zgjodh si anëtar i Këshillit më 9 korrik 2019, me propozim të presidentit të shtetit. Këshilli Gjyqësor duhet të ketë zëvendësues për të, megjithatë, presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaroi se fillimisht do të pritet miratimi i ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, dhe vetëm më pas do të zgjidhet zëvendësuesi i tij. Sipas presidentes, ligji aktual është i keq, kriteret për zgjedhje janë të papërshtatshme, dhe ajo beson se e gjithë kjo do të përmirësohet me zgjidhjen e re ligjore.
“Nuk do të doja që ta propozojmë në momentin e fundit ose me nxitim, sipas ligjit të vjetër ku fare nuk është e qartë çfarë do të thotë jurist i shquar, e për të mos folur për vetë procedurën, e cila nuk është konkurruese, nuk është garuese, kur ka vetëm një kandidat. Ka zgjidhje që mendoj se është mirë që çdo anëtar i ri i Këshillit Gjyqësor t’i përmbushë në mënyrë që të hyjë në Këshillin Gjyqësor”, tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor tashmë ndodhet në procedurë qeveritare dhe pritet që së shpejti të dalë para deputetëve. Ndryshe, Milazim Mustafa ishte anëtar i këshillit për gjashtë vite. Ai është jurist, ka përfunduar studimet e magjistraturës në Fakultetin Filozofik dhe mban titullin magjistër i studimeve evropiane për integrim. Para se të punonte në Këshillin Gjyqësor, Mustafa ka qenë pjesë e Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit pranë Qeverisë në vitin 2014. Mustafa ishte anëtar i këshillit edhe në kohën kur ky institucion përballej me kritika për punën e tij, si nga opinioni publik ashtu edhe nga pushteti ekzekutiv, ndërsa Mustafa ishte një nga pesë anëtarët ndaj të cilëve Kuvendi votoi interpelancë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, Mustafa në atë kohë nuk dha dorëheqje dhe deklaroi se pretendimet e pushtetit ekzekutiv se këshilli punon me anshmëri nuk janë të vërteta. Veprimtaria e Milazim Mustafës në këshill u shënua edhe nga iniciativa e tij për shkarkimin e atëhershmes të kryetare të Gjykatës Supreme, Besa Ademi, pasi ai nisi procedurë për largimin e saj për shkak të mospjesëmarrjes së paarsyeshme në seancat e këshillit. Megjithatë, iniciativa nuk kaloi dhe Besa Ademi atëherë mbeti në krye të Gjykatës Supreme. /Alsat/