Dodik nuk pyet për ndërkombëtarët, Bosnjen do ta copëtojmë!

    Pavarësisht një zotimi të Shteteve të Bashkuara për ta ndaluar copëtimin e Bosnjës, lideri separatist i Republikës Srpska atje, Milorda Dodik u zotua të vazhdojë ta dobësojë vendin e tij që ende vuan plagët e luftës deri në pikën kur do të copëtohet.

    “Unë nuk jam joracional, e di se përgjigja e Amerikës do të jetë përdorimi i forcës, por nuk kam asnjë arsye që të trembem nga kjo për të sakrifikuar interesat kombëtare (serbe)”, tha ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press.

    Dodik theksoi se çdo përpjekje për të shfrytëzuar ndërhyrjen ndërkombëtare për të forcuar më tej institucionet e përbashkëta shumetnike të Bosnjës do të përballet me vendimin e serbëve të Bosnjës për t’i braktisur plotësisht ato dhe për ta kthyer vendin në gjendjen e përçarjes dhe mosfunksionimit, siç ishte në fund të periudhës së luftës brutale ndëretnike të viteve 90. Për shkak se demokracitë perëndimore nuk do të jenë dakord me këtë, shtoi ai, “në periudhën tjetër, ne do të detyrohemi nga reagimi i tyre të shpallim pavarësinë e plotë” të rajoneve të Bosnjës të kontrolluara nga serbët. Edhe pse perëndimi në vite ka ushtruar trysni ndaj udhëheqësve etnikë të Bosnjës që të ndërtojnë institucione të përbashkëta mbarëkombëtare, duke përfshirë ushtrinë, agjencitë e zbulimit dhe sigurisë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore, tendencat e shkëputjes së entitetit serb nuk janë fashitur.

    Dodiku u shfaq i pashqetësuar të premten nga deklarata e postuar në rrjetin X, nga James O’Brien, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, se Uashingtoni do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë “elementin bazë “ të marrëveshjes së paqes së vitit 1995 për Bosnjën dhe se askush nuk ka “të drejtë shkëputjeje”. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Lajçak “i tërheq veshin” Prishtinës: Të shpallen zgjedhjet ne veri, jo më vonesa

    Lajmi i rradhës

    MPB akoma nuk ka ngritur kallëzim penal ndaj Drin Ahmetit, nipit të Ali Ahmetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë