Dritat janë fikur në monumentet e famshme dhe gjermanët po grumbullojnë dru dhe qymyr pasi rrjedhat e gazit nga Rusia po bëhen gjithnjë e më të pasigurta.
Edhe në Berlin, vendet historike të qytetit qëndrojnë kryesisht të pandriçuara pas perëndimit të diellit.
Masat e kursimit të energjisë janë pjesë e një përpjekjeje të Gjermanisë për të reduktuar konsumin e saj të energjisë dhe grumbullimin e gazit teksa furnizimet nga Rusia bëhen gjithnjë e më të pasigurta.
Gjermania mbështetet shumë te Rusia për nevojat e saj energjetike. Para pushtimit të Ukrainës nga Kremlini më 24 shkurt, 55 për qind të gazit Gjermania e blinte nga Rusia.
Kremlini duket se po përdor gazin si levë për të bërë presion ndaj Gjermanisë, e cila e mbështetë Ukrainën. Prurjet e gazit rus përmes gazsjellësit Nord Stream 1, u ulën në më pak se 20 për qind të kapacitetit në korrik, pasi Gazpromi rus tha se do të bëheshin “riparimet e pajisjeve”.
Më 24 gusht, Gjermania miratoi masa drastike për të ulur përdorimin e energjisë, duke përfshirë kufizimin e ngrohjes në 19 gradë celsius (66 gradë Fahrenheit) brenda ndërtesave publike dhe fikjen e ndriçimit estetik në monumente. Gjithashtu, po shqyrtohet edhe ndalimi i pishinave të ngrohta private.
Nga shtatori, rrjeti hekurudhor i Gjermanisë do t’u japë përparësi trenave që transportojnë qymyr dhe naftë, që do të thotë se trenat e pasagjerëve do të duhet të presin ndërsa vagonët e karburantit kalojnë.
Industria e qymyrit në Gjermani aktualisht ka shënuar rritje të shitjeve, ndërsa konsumatorët përgatiten për dimër dhe faturat e gazit për familjet po rriten.
Në gusht, kreu i Engelke Energie i tha AFP-së se këtë vit klientët e rinj kishin arritur masivisht duke shtuar kërkesat për qymyr dhe produkte druri. Ai tha se i kishte shtyrë pushimet e tij për të vazhduar me përmbushjen kërkesave të klientëve. “Ata që ngrohen me gaz, por që ende kanë një stufë [me qymyr] në shtëpi, tani të gjithë duan të kenë qymyr”, tha ai.
Disa kanë shprehur frikë nga trazirat eventuale masive në Gjermani pasi dimri po afron dhe energjia vazhdon të jetë e kufizuar dhe më e shtrenjtë. Kancelari Olaf Scholz kohët e fundit e përshkroi rritjen e kostove të energjisë si një “fuçi baruti për shoqërinë”.
Gjermania është duke ndërtuar dy terminale gazi që do të thjeshtojnë importet nga vendet e tjera, ndërsa po përpiqet të sigurojë me kohë furnizime të mjaftueshme për dimër. Berlini synon të mbushë rezervat e gazit në 95 për qind deri në nëntor. /REL/