Kuvendi nesër pritet të zgjedh Lirim Sulejmanin për anëtar të ri në Komisionin Rregullator për Energjetikë. Sipas dokumenteve deri tek të cilat ka arritur Nistori, rezulton që Sulejmani krijon bazë për konflikt interesi në rast se zgjidhet, pasi i njëjti për momentin ështe i punësuar në EVN me status pune udhëheqës. Këtë e konfirmoi edhe kompania ku punon momentalisht Sulejmani.
“Lirim Sulejmani është akoma në marrëdhënie pune tek punëdhënësi Elektrodistribuimi. Në qoftë se për çfarëdo arsye e lëshon vendin e punës, patjetër që marrëdhënia e punës do t’i përfundon”, përgjigjen për Nistorin nga EVN.
Argumentet për zgjedhjen e tij në mënyrë jo ligjore i forcon edhe fakti që në statusin e KRRE-së potencohet se propozimi (në këtë rast i Qeverisë) duhet së paku një vit para se të zgjidhet anëtar i këtij institucioni, të mos jetë anëtar i ndonjë bordi mbikëqyrës ose menaxhues apo në bordin e drejtorëve në një kompani që kryen veprimtari të rregulluara të energjisë.
Një kusht i tillë por edhe më rigoroz parashikohet në vetë propozimin e Sekretarit Gjeneral të Qeverisë ku ndër kushtet e parapara me Rregullore, anëtari obligohet që të mos ketë qenë pjesë e bordit ose organit drejtues për dy vite.
Nga viti 2014 Sulejmani ka udhëhequr Qendrën Shfrytëzuese Energjetike të EVN-së në Shkup. Është jurist i diplomuar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. /Nistori/