DREJTËSIA NËN HIJEN E PARTIZIMIT

    Sfondi i fotografisë është krijuar me ndihmën e intelegjencës artificiale

    Deklarata e liderit të BDI-së Ali Ahmetit, lidhur me vendndodhjen e Artan Grubit ka ngritur shqetësime dhe ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kontekst, Ahmeti ka bërë një koment të qartë, ku thekson se Artan Grubi është “në trojet shqiptare” dhe se ai është i gatshëm të përballet me organet e drejtësisë, por jo në një formë hakmarrëse ose selektive. Ahmeti përdori një gjuhë të fortë për të kundërshtuar çdo përpjekje për të përdorur drejtësinë si mjet hakmarrës, duke aluduar në mundësinë e abuzimeve të mundshme nga ana e organeve shtetërore. Kjo ngre pyetje të rëndësishme rreth pavarësisë dhe transparencës së institucioneve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut dhe si politikat mund të ndikojnë në proceset ligjore.

    I pyetur nga Nistori se si mund të kuptohet deklarata e Ahmetit, gazetari Petrit Saraçini thotë se kështu vepronte edhe VMRO DPMNE për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski kur u arratis në Hungari.

    “Me sa duket, Ahmeti dhe BDI po tentojnë që rastin e Artan Grubit ta hedhin në rrafshin e përndjekjes politike dhe disi të justifikojnë veprimin e tij për t’u larguar nga vendi. Kështu, për shembull vepronte edhe VMRO-DPMNE për rastin e Nikolla Gruevskit të ikur në Hungari, që e quante përndjekje politike. E që dë dy janë në listën e zezë të SHBA ve, ku nuk vlejnë “kriteret” e gjyqësorit të Maqedonisë, në degradimin e të cilit kanë dhënë kontribut të gjitha pushtetet e deritanishme. Nëse duam një drejtësi joselektive, do të ishte mire që partitë politike të heqin dorë nga ndikimi mbi gjyqësorin dhe mbi opinionin, e të akuzuarit të vijnë në vend dhe të ballafaqohen me drejtësinë”, thotë Saraçini.

    Sipas Saraçinit, janë pikërisht partitë qeverisëse që kanë kontribuar në uljen e besimit në sistemin e drejtësisë, pasi kur janë pushtet, tentojnë që ta partizojnë gjyqësorin dhe ta përdorin për luftë kundër opozitës, e kur janë në opozitë ankohen nga gjyqësori i partizuar.

    “Besimi i ulët në sistemin gjyqësor është pasojë e shumë viteve të partizimit, korrupsionit dhe drejtësisë selektive. Këto janë fakte të pamohueshme, është konstatuar edhe në raporte ndërkombëtare. Sa i përket drejtësisë selektive, jo vetëm tani, por edhe në qeverisjet e mëparshme, ata që akuzohen para organeve të drejtësisë janë kryesisht ish-funksionarë të qeverive të mëparshme, e jo funksionarë aktual. Dhe kjo shpesh (keq)përdoret nga ata që janë nën hetime dhe partitë që ju përkasin, për të akuzuar kundërshtarët e tyre politik për përndjekje politike. Mirëpo, janë mu politikanët ata që kanë kontribuar për këtë gjendje. Kur janë në pushtet, tentojnë që ta partizojnë gjyqësorin dhe ta përdorin për luftë kundër opozitës, e kur janë në opozitë ankohen nga gjyqësori i partizuar. Besimi në gjyqësor do të rritet dhe drejtësia do të jetë e njëjtë për të gjithë vetëm nëse pushteti ekzekutiv heq dorë nga ndikimi dhe partizimi i gjyqësorit. Fatkeqësisht, në të kaluarën ka ndodhur krejtësisht e kundërta”, shton më tej Petrit Saraçini, gazetar i IMA.

    Nga ana tjetër politologu Xhenis Sulimani, jo vetëm deklarata e Ali Ahmetit, por edhe zv/kryeministri Izet Mexhiti, disa ditë më parë deklaroi se Grubi është në Shqipëri. Sot, një tjetër zv/kryeministër shqiptar, Arben Fetai, kërkoi që organet kompetente të marrin në pyetje Ali Ahmetin, duke harruar partnerin e tij në koalicionin qeverisës, Mexhitin. Sipas Sulimanit, këto janë një mori deklaratash të përziera, që synojnë protagonizmin, dhe të gjitha janë rezultat i një sistemi të dështuar të gjyqësorit.

    “Dhe jo vetëm Ali Ahmeti, edhe zv/kryeministri Izet Mexhiti ditë më parë tha se Grubi është në Shqipëri. Sot në skenë del edhe zv/kryeministri tjetër shqiptar Arben Fetai e i bën thirrje organeve kompetente ta marrin në pyetje Ali Ahmetin, por e harron partnerin e vet në koalicionin qeverisës, Mexhitin. Mishmash deklaratash për protagonizëm dhe gjithë kjo falë sistemit të dështuar të gjyqësorit e prokurorisë në RMV, ku në vend që të fletë drejtësia, flasin politikanët”, deklaron Sulimani për Nistorin.

    Ndryshe, edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler tha se nuk ka informacione se ku gjendet i arratisuri Grubi, por është e rëndësishme që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Njashtu, edhe kryeministri Hristijan Mickoski shpreson se prokuroria do ta thërrasë në bisedë informative kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Burgosen prindërit e adoleshentit që vrau 10 njerëz në Beograd

    Lajmi i rradhës

    Komunikologu Hamzi: rrjetet sociale nuk janë përbindësha, edukimi mediatik është zgjidhje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë