Drejtoresha ruse e teatrit dënohet me 8 vjet burgim pasi postoi kundër Putinit

    Anastasia Berezhinskaya, drejtoreshë teatri, është dënuar të enjten me tetë vjet burgim nga një gjykatë në Moskë, për shkak të shkrimeve dhe komenteve që i kishte bërë në rrjetin social Vkontakte më 2022, ku e kishte dënuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe kishte bërë thirrje për “vrasjen” dhe “eliminimin” e presidentit Vladimir Putin.

    Gjykatësi Andrei Pluzhnikov nga gjykata ushtarake e qarkut në Moskë e shpalli Berezhinskayan fajtore për “arsyetimin e terrorizmit”, për “përhapjen e të dhënave të rrejshme për ushtrinë ruse” si dhe për “përçmimin e Forcave të Armatosura të Rusisë”.

    Prokuroria kishte kërkuar 10 vjet burgim për Berezhinskayan.

    Berezhinskaya, 43-vjeçare, e cila nuk pranoi të dëshmonte gjatë gjykimit, e pranoi fajësinë pjesërisht.

    Në fjalinë e saj përfundimtare para gjykatës, Berezhinskaya tha: “I nderuar, nuk kam asgjë të të them, asgjë për të shtuar. Do ta pranoj secilin vendim tuaj”.

    Pasi gjykatësi e mori vendimin, Berezhinskaya u arrestua në vend.

    Para dhe gjatë gjykimit, ajo ishte urdhëruar të mos largohej nga Moska.

    Berezhinskaya, e cila është nënë e dy fëmijëve të moshës 8 dhe 10-vjeçare, është diagnostikuar me çrregullime të personalitetit, por gjykata tha se ajo nuk ka nevojë të shtohet në spital.

    Zyrtarët ruse i kanë përdorur dukshëm akuzat si përçmimi i Forcave të Armatosura të vendit apo përhapja e informatave të rrejshme për ushtrinë, për t’ua mbyllur gojën qytetarëve që e kundërshtojnë agresionin e Moskës në Ukrainë, prej se nisi pushtimi i plotë i shtetit fqinj në shkurt 2022./REL/

    Lajmi Paraprak

    Rreth 50 për qind e popullatës në RMV jeton me peshë të shtuar trupore dhe nuk ushqehen shëndetshëm

    Lajmi i rradhës

    Rrahjet e zemrës nga kafeja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë