Drita e braktisi administratën shtetërore për sektorin privat, tani instruktore e jogës

    Drita Zeqiri, magjistre e ekonomisë dhe menaxhimit, ndryshe nga pjesa më e madhe e të rinjve që synojnë punë në administratën e shtetit – e cila ofron rehati dhe pagë të garantuar – pas katër vjetësh punë vendosi të kalojë në sektorin privat. Pasionin për jogën, Zeqiri vendosi ta bëjë punë primare duke hapur një shkollë për joga.

    “Arsyeja kryesore se pse profesionin që ende e dua aq shumë, ekonomi dhe menaxhim – për çka jam edukuar jashtë shtetit, në Universitetin e Lubjanës – vendosa ta lë anash dhe të merrem me joga, ishte motivimi i ulët në punën që kisha në një nga institucionet e shtetit”.

    “Mundësia për të përparuar, për të arritur diçka, ishte shumë e kufizuar, sado që të punosh, të angazhohesh apo maksimumin të japësh nga vetja, ka një limit se deri ku mund të arrish”, shprehet Drita Zeqiri, duke shtuar se ajo synonte më shumë, ndërsa edhe paga ishte po ashtu një faktor që ndikoi:

    “Gjithsesi edhe financat ishin motiv shumë i ulët, pasi sado që të angazhohesh e të punosh, paga mbetet e njëjtë. Kjo më shtyri të kërkoj diçka më shumë nga vetja, pra të krijoj një punë timen”.

    Ajo shton se në ngritjen profesionale, rol të veçantë ka ndikimi politik dhe jo aftësitë dhe përgatitja profesionale.

    Duke folur për rrugën e krijimit të biznesit të jogës, ajo thotë se nuk ka qenë aspak e lehtë, porse shtysë kryesore thotë ta ketë pasur besimin në vete.

    “Ndihma nga institucionet e shtetit është shumë e ulët te ne për dallim nga vendet evropiane pasi kam njohuri si funksionojnë gjërat atje”, thotë Drita.

    Dita për të tani fillon herët, pasi paga nuk është e garantuar, thotë duke qeshur ndërsa shton se, megjithëkëtë, në sektorin privat ndihet më e lirë për ta organizuar ditën.

    “Përderisa ekziston motivi im mendoj se çdo herë mund të arrij rezultat”, thotë ajo porse e lë të hapur edhe mundësinë e largimit nga vendi ashtu siç e ka këtë synim më shumë se gjysma e të rinjve në vend.

    “Shumë shpesh dhe unë jam në pragun e ikjes nga ky shtet pasi shteti nuk e ofron atë përkrahjen e duhur për të rinjtë që kanë vizion, investojnë në veten e tyre. Pasi një i ri investon në shkollim dhe trajnime të ndryshme, pret që ai investim t’i kthehet”.

    “Fatkeqësisht, shteti nuk ofron kushte që të rinjtë investimin në dije ta kthejnë në mënyrën e duhur pasi për t’u zhvilluar duhet të sigurohet hapësirë dhe mundësi”, thekson instruktorja e jogës e cila tashmë e ka gërshetuar me biznesin familjar Qendrën për Zhvillim Personal dhe Profesional.

    Studion e saj e frekuentojnë kryesisht grupmosha të ndryshme, nga adoleshentet deri te gratë që tashmë janë në pension. Pandemia e koronavirusit, thekson ajo, ka transformuar çdo profesion duke i dhënë shtysë punës on-line madje dhe punës së saj.

    Krahas orëve që mban në studio, Zeqiri ka më shumë kliente nga Shqipëria dhe vende tjera, të cilëve u mban online orë për joga.

    “Kërkon kohë që të vetëdijesohemi se çka realisht është joga, por megjithatë mund të them se interesimi është shumë i lartë. Dikush vjen për shkak të problemeve me muskujt e shpinës, dikush për shkak të problemeve me anksiozitetin dhe dikush tjetër për shkak se dëshiron të sigurojë një figurë perfekte të trupit, pra interesimet janë të ndryshme”, shpjegon Drita Zeqiri.

    Asnjë fitore nuk arrihet me forcë nëse nuk krijojmë balancim në çdo veprim që bëjmë në jetë, si mënyra e të jetuarit, e të ushqyerit, aktivitetet fizike et. Dhe kjo, sipas saj më së miri arrihet përmes jogës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Incident ndërmjet “Komitëve” dhe “Çkembarëve”, përleshen tifozët (Video)

    Lajmi i rradhës

    Në vendin më të pasur në Europë, transporti publik është falas

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë