Pas dy dekadash pritjeje, Maqedonia e Veriut kërkon që rruga drejt Bashkimit Evropian të mos jetë më një proces i pafund kushtëzimesh dhe pengesash politike. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në një intervistë për “Politico”, ka bërë thirrje për një rrugë të drejtë, të parashikueshme dhe kredibile drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke paralajmëruar se vendi nuk ka më luksin të kërkojë alternativa jashtë perspektivës evropiane.
Mucunski ka pranuar se në Shkup ekziston frustrim i madh për mungesën e rezultateve konkrete në procesin e integrimit evropian, veçanërisht pas më shumë se dy dekadash nga marrja e statusit të vendit kandidat, shkruan gazeta KOHA. “Po, ndonjëherë jemi shumë të frustruar për shkak të mungesës së rezultateve politike”, ka deklaruar Mucunski, duke vlerësuar se Maqedonia e Veriut është shndërruar në një “studim rasti” për mënyrën se si kontestet bilaterale mund ta pengojnë procesin e zgjerimit të BE-së.
DY DEKADA PRITJE, PA ASNJË KAPITULL TË MBYLLUR
Në tekstin e “Politico” rikujtohet se Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim që nga viti 2005 dhe se është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Megjithatë, edhe pas dy dekadash, vendi ende nuk ka arritur të bëjë përparim substancial në negociatat për anëtarësim.
Në të njëjtën kohë, vende të tjera kandidate po ecin përpara. Mali i Zi po përshpejton procesin drejt anëtarësimit, Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë negociues, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë avancuar në negociatat e tyre. Në këtë kontekst, Mucunski e ka cilësuar si tepër të butë formulimin se Maqedonisë së Veriut i është bërë padrejtësi. “Të thuash se ndaj nesh është vepruar në mënyrë të padrejtë është një formulim tepër i butë”, ka theksuar ai. Sipas ministrit, vendi ka bërë një sërë kompromisesh të rëndësishme gjatë viteve, duke përfshirë ndryshimin e emrit kushtetues në vitin 2019, por këto lëvizje nuk kanë sjellë hapjen e qëndrueshme të rrugës drejt anëtarësimit.
JEMI LODHUR NGA “LËVIZJA E VAZHDUESHME E CAKUT”
Një nga pengesat kryesore aktualisht mbetet ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në të, kusht ky që lidhet me vazhdimin e procesit negociues. Mucunski thotë se kjo çështje është bërë politikisht toksike në vend, pikërisht për shkak të perceptimit se pas çdo kompromisi mund të shfaqet një kërkesë e re. Sipas tij, qytetarët maqedonas janë lodhur nga ajo që e përshkruan si “lëvizje të vazhdueshme të cakut” dhe nuk janë më të bindur se pas përmbushjes së kërkesës aktuale nuk do të paraqitet një kusht tjetër. “Kjo është një keqpërdorim absolut i pozitës së një vendi anëtar të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Mucunski, duke iu referuar mënyrës se si, sipas tij, Bullgaria e ka përdorur pozitën e saj në procesin e zgjerimit.
Ai ka argumentuar se dallimet mes vendeve fqinje mund të kapërcehen më lehtë brenda Bashkimit Evropian, duke e krahasuar situatën me marrëdhëniet historikisht të ndërlikuara ndërmjet Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tij, edhe vetë Bullgaria do të kishte përfitime të konsiderueshme nga përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE.
SHKUPI DUHET TË FITOJË EDHE MBËSHTETJEN E BULLGARËVE
Ndërkohë, nga Sofja vjen një mesazh dukshëm më ndryshe. Eurodeputeti bullgar nga grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, Kristian Vigenin, në një intervistë për BNT, ka thënë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të fokusohet vetëm në Bruksel dhe në Parlamentin Evropian, por duhet të punojë edhe për ndryshimin e perceptimit të saj në shoqërinë bullgare. “Nëse Republika e Maqedonisë së Veriut dëshiron të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, nuk mjafton që përfaqësuesit e saj të vizitojnë kryeqytetet evropiane dhe të kërkojnë rrugë në Parlamentin Evropian. Ata duhet ta fitojnë mbështetjen e qytetarëve bullgarë dhe nuk duhet ta nënvlerësojnë këtë çështje”, ka deklaruar Vigenin.
Ai i është referuar një sondazhi të porositur nga ai dhe të realizuar nga agjencia “Myara”, sipas të cilit qytetarët bullgarë në parim e mbështesin zgjerimin e BE-së, por kanë qëndrime të ndryshme ndaj vendeve individuale kandidate. Sipas Vigeninit, perceptimi ndaj Maqedonisë së Veriut është ndër më negativët, së bashku me atë ndaj Ukrainës.
Eurodeputeti bullgar ka vlerësuar se gjatë viteve të fundit marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë shënuar normalizimin e pritur, por, përkundrazi, janë zhvilluar në drejtim të kundërt. Sipas tij, Shkupi duhet të ndërmarrë hapa për të ndryshuar mënyrën se si perceptohet vendi në shoqërinë bullgare. “Detyra kryesore e tyre nga tani e tutje duhet të jetë krijimi i një imazhi ndryshe dhe më pozitiv për vendin e tyre këtu në Bullgari. Këtë problem mund ta zgjidhim së bashku nëse ata i përmbushin detyrimet e tyre”, ka deklaruar Vigenin.
Ai ka theksuar gjithashtu se qytetarët bullgarë bëjnë dallim ndërmjet qëndrimit të përgjithshëm ndaj një vendi fqinj dhe vlerësimit nëse ai vend është i gatshëm për anëtarësim në BE.
SHKUPI KËRKON GARANCI, SOFJA KËRKON NDRYSHIM TË PERCEPTIMIT
Deklaratat e Mucunski dhe Vigeninit tregojnë edhe një herë se rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut mbetet e lidhur ngushtë me marrëdhëniet me Bullgarinë. Nga njëra anë, Shkupi kërkon një proces të parashikueshëm, të bazuar në kritere evropiane dhe pa kushte të reja bilaterale. Nga ana tjetër, Sofja kërkon përmbushjen e detyrimeve të dakordësuara dhe një ndryshim të perceptimit të Maqedonisë së Veriut në opinionin publik bullgar.
Mucunski ka theksuar se, pavarësisht zhgënjimeve dhe pengesave, vendi nuk duhet të heqë dorë nga perspektiva evropiane. “Vendi ynë nuk e ka luksin të ketë alternativë B apo alternativë C”, ka përfunduar ministri, duke nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi strategjik i Maqedonisë së Veriut. /Koha/






