Dy javë pa rroga, ultimatumi për Ministrinë e Kulturës

    Sindikata e punonjësve të kulturës ka paralajmëruar të enjten Ministrinë e Kulturës se do të nisë protestat e paralajmëruara të cilat nuk do të ndalen deri në pagesën e pagës së muajit mars, në përputhje me marrëveshjet kolektive. Siç njoftoi në konferencën e sotme kryetarja e Sindikatës Vera Atanasovska, ndërkohë paditë për vonesë në pagesën e pagave janë në proces. Ministria e Kulturës, disa javë më parë deklaronte se pagat e muajit mars do të paguhej me koeficientin e rritur, por në të vërtetë janë shkelur të gjitha afatet ligjore dhe tre mijë punonjës të kulturës nuk janë paguar ende. Pas disa ditësh do të mbeten pa sigurim shëndetësor tre mijë punonjës të kulturës dhe familjet e tyre.

    “Sot, më 18 prill, nuk ka ende pagë për muajin mars. Të gjithë e dimë shumë mirë që sa herë që zbatohen marrëveshjet kolektive dhe bëhen premtime financiare, ato duhet të harmonizohen me Ministrinë e Financave. Ndërsa ministrja e kulturës më 1 prill nga i njëjti vend premtoi rritje pagash për muajin mars, edhe pse më parë nuk kishte rënë dakord për të njëjtën rritje me ministrin e financave, tani kush e ka fajin për mospagesën e pagave në kulturë. Më telefonuan nga zyra e ministres ku më thanë se sot në orën 13 duhet të kemi një takim në MF. Nuk jam e informuar se për çfarë do të bëhet takimi, por menjëherë më pas kam marrë telefonata nga institucionet e kulturës se punonjës të Ministrisë së Kulturës kanë thirrur institucionet dhe kanë thënë se paga duhet të paguhet pa u përshtatur sipas kontratës kolektive”, theksoi Atanasovska në konferencën për shtyp para Ministrisë së Kulturës.

    Sipas sindikalistëve kjo situatë vë në pikëpyetje jetesën e atyre që janë të përkushtuar ndaj artit dhe kulturës, si edhe cenon integritetin e institucioneve tona kulturore.

    “Pavarësisht arsyes, efekti mbetet i njëjtë – një fuqi punëtore kulturore e demoralizuar dhe një kulturë e reduktuar kombëtare në kolaps edhe para protestës dhe grevës”, ka thënë Atanovska. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, në konferencën e sotme për media ka kërkuar që pagat të paguhen sot sipas marrëveshjes kolektive, në të kundërtën protestat do të nisin nesër.

    “Nëse jo, shihemi nesër në protestë, shihemi të nesërmen e kështu me radhë derisa të plotësohen kërkesat tona. Ne nuk kërkojmë bukë, kërkojmë rrogë dhe rrogën e kemi marrë tashmë, po punojmë edhe për rrogën e re të muajit që duhet ta marrim në muajin maj. Është e papranueshme që kjo të ndodhë me ne, sidomos 15 ditë para zgjedhjeve. Është e palejueshme të kërkojmë votën tonë 15 ditë para zgjedhjeve, duke mos na paguar siç duhet – flasim për rroga, jo për ryshfet dhe korrupsion. Nuk kanë justifikim, rroga është më së voni deri në fund të ditës, nëse nuk paguhet gjatë ditës së nesërme do të fillojnë protestat”, ka thënë Trendafilov. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Nisma e Osmanit për dalje nga Ballkani i Hapur, reale apo për fushatë elektorale?

    Lajmi i rradhës

    Partitë dhe politikanët, dezinformuesit më të mëdhenj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë