Migrimi po i zbraz shkollat në RMV

    Në të gjithë komunat këtë vit ka një reduktim drastik të numrit të nxënësve. Çdo vit, gjithnjë e më shumë fëmijë të qytetarëve të Maqedonisë lindin jashtë vendit, dhe Maqedonia e Veriut është në mesin e 20 vendeve me shkallën më të lartë të emigrimit.

    Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se vetëm në një vit shkollor, numri i nxënësve në arsimin fillor është zvogëluar për 1.015 nxënës, ndërsa ai i shkollave të mesme për 1.798. Në fund të vitit shkollor 2021/2022, numri i nxënësve në shkollat fillore ishte 184.910, që paraqet një rënie prej 0,6 % krahasuar me vitin paraprak. Në shkollat e mesme, numri i nxënësve në fund të vitit shkollor 2021/2022 ishte 69.378, që është një rënie prej 2,5 për qind krahasuar me vitin paraprak shkollor.

    Për këtë kryetari i shoqatës së arsimtarëve shqiptarë Samet Jahiu, deklaroi për gazetën KOHA se si pasoj e migrimit dhe zvogëlimit të numrit të nxënësve në shkolla, do të kemi pasoja deri te papunësia e arsimtarëve dhe mbyllja e shkollave.

    “Rënia e numrit të nxënësve po bie çdo vit e më shumë dhe kjo është diçka e tmerrshme, sepse numri po bie për 100 nxënës në vit, kjo do të thotë pas disa viteve një klasë më pak. Shkaku i migrimit shkollat tona po rrezikojnë jo vetëm rënien e numrit të nxënësve, por edhe arsimtarëve. Nga ana tjetër ndryshimet programore si kombinimi i lëndëve dhe pushimi janë ndryshime negative, sepse po humb edhe zhvillimi i mësimit”, deklaroi Samet Jahiu, kryetar i shoqatës së arsimtarëve shqiptarë.

    Shifrat e Entit Shtetëror të Statistikave për migrimet në vend tregojnë se numri i fëmijëve të shtetasve të Maqedonisë të lindur jashtë vendit është vazhdimisht në rritje. Këto shifra tregojnë se në vitin 2009 gjithsej 3510 fëmijë nga vendi kanë lindur jashtë vendit, ndërsa në vitin 2019 ky numër është 5187.

    Ndërkaq, nga të paktat shkolla që ka rritje të nxënësve këtë vit është shkolla fillore “Faik Konica” e Komunës së Likovës, ku vitin e kaluar janë regjistruat 52 nxënës, ndërsa këtë vit 62 nxënës të klasës së parë. Nga shkolla na informojnë se nga vitet e kaluara ka një ndryshim të madh në numrin e nxënësve, ku sipas informatave të marra të gazetës KOHA, shkolla fillore “Faik Konica” viteve para migrimit të vrullshëm numëronte mbi 900 nxënës, ndërsa sivjet janë 582 nxënës të regjistruar. Ndërsa numri i nxënësve të klasës së parë në shkollat ​​fillore të Strugës është në rënie. Vetëm këtë vit janë regjistruar 50-të më pak se vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e Komunës së Strugës.

    Gjithashtu edhe në Prilep, numri i nxënësve të klasës së parë të regjistruar në vitin e ri shkollor në 10 shkollat ​​fillore ka rënë për 100 nxënës. Gjendja më e vështirë është në katër vendbanimet rreth Strumicës, që do të fillojnë pa asnjë nxënës të klasës së parë. Fjala është për fshatrat Raborci, Popçevë, Gabrovo dhe Memeshli, dhe gjendja nuk është më e mirë as në vetë qytetin.

    Më mirë nuk është gjendja as në Ohër, ku sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria komunale e Arsimit, në klasë të parë këtë vit janë regjistruar 445 nxënës të klasës së parë, që është 94 më pak se vitin e kaluar, kur ishin regjistruar 539 fëmijë. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë një rënie të ndjeshme të lindjeve të gjalla në Maqedoninë e Veriut. Në periudhën 2009-2019, numri është ulur me gati 4000. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjykatës të ri me lidhje të vjetra!

    Lajmi i rradhës

    Top 10 shitjet më të mëdha të Serie A në këtë afat kalimtar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë