Pas rritjes së numrit të qytetarëve të cilët ditëve të fundit janë ankuar për probleme me stomakun dhe janë paraqitur në Spitalin e Gostivarit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka kërkuar të kryhen kontrolle të jashtëzakonshme të ujit të pijshëm.
Nga Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” kanë konfirmuar se në repartin infektiv dhe atë pediatrik ka një numër të shtuar kontrollesh dhe qytetarësh që ankohen për diarre, dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë të lartë. Sipas gjetjeve fillestare dhe pamjes klinike, me shumë gjasa bëhet fjalë për viroza sezonale dhe nuk ka lidhje epidemiologjike mes rasteve.
Nga Departamenti për Higjienë dhe Ekologji Shëndetësore të Qendrës së Shëndetit Publik-Gostivar, kanë konfirmuar se dje është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm dhe janë marrë mostra nga katër pika matëse.
“Sa i përket ujit dhe situatës aktuale, përveç analizave të rregullta kemi bërë edhe analiza të jashtëzakonshme. Rezultatet e fundit të analizave që i kemi kryer të hënën ishin të mira, përkatësisht parametrat fiziko-kimikë dhe mikrobiologjikë ishin në rregull. Dje kemi marrë edhe disa mostra të tjera për analiza të jashtëzakonshme, por për rezultatet duhet të presim deri nesër ose eventualisht deri të hënën. Për momentin nuk mund të themi asgjë konkrete për to”, ka thënë për MIA-n, Berun Mustafa, specialist i higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik në Gostivar.
Autoritetet shëndetësore bëjnë aplel që qytetarët të kenë kujdes më të madh për higjienën dhe zakonet e përditshme, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur temperaturat janë të larta dhe rreziku nga infeksionet e zorrëve rritet ndjeshëm.
Pas raportimeve për ndotje të ujit në Gostivar, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se institucionet kompetente janë në terren dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.
“Më 16.07.2026 rreth orës 18:20, inspektorët nga Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar, duke vepruar sipas udhëzimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar, morën masa dhe aktivitete urgjente në terren në fshatin Vrutok, për shkak të dyshimit për ndotje të ujit me të cilin furnizohet qyteti i Gostivarit. Ekzistojnë baza dyshimi se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tri pompa në shtratin e ujërave të zeza rrjedhëse, përmes të cilave është injektuar ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin. Ky aktivitet me sa duket është ndërmarrë me qëllim të rritjes së presionit në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, me çka rrezikohet drejtpërdrejt shëndeti i qytetarëve të Gostivarit. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale „ndotje e ujit të pijshëm“, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal. Në zbardhjen e këtij rasti, përveç policisë dhe prokurorisë, menjëherë janë përfshirë edhe Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si dhe një ekspert i licencuar i cili duhet të bëjë një vlerësim profesional të sistemit të vendosur në mënyrë të paligjshme”, thonë nga MPB.
Ndryshe, nga Prokuroria Themelore njoftuan se po ndërmerren veprime në lidhje me kontrollin e cilësisë së ujit në Gostivar.






