Popullsia në Maqedoni po plaket dhe ky fenomen ka prekur gjithashtu prodhuesit e ushqimit dhe verës vendase. Mosha mesatare e fermerëve është 56-vjeç, dhe ka një mungesë të ndjeshme të fermerëve të ri. Një nga sfidat kryesore me të cilët përballet rinia në zonat rurale është mungesa e kopshteve, arave me sipërfaqe të mëdha dhe mbështetjes institucionale. Ky është një faktor që i pengon ata të qëndrojnë në fshatrat e tyre dhe të angazhohen në bujqësi.
Sipas një hulumtimi, vetëm tre të katërtat e të rinjve në zonat rurale shprehin dëshirën për të mbetur në vendbanimin e tyre, por kërkojnë mundësi më të mira për arsimim, mundësi punësimi dhe të ardhura shtesë. Ministria e Bujqësisë ndërkohë thotë se masat mbështetëse në formën e pagesave direkte po ndikojnë pozitivisht në plotësimin dhe rritjen e të ardhurave të prodhuesve bujqësorë.
“Përkrahja luan një rol kyç në qëndrueshmërinë e aktivitetit për shumicën e ekonomive bujqësore maqedonase, d.m.th. kontribuon në rritjen e zhvillimit dhe potencialit investues të atyre me kapacitete më të mëdha prodhuese dhe menaxhim më të mirë të biznesit. Duke plotësuar të ardhurat e fermerëve dhe duke ruajtur prodhimin bujqësor, pagesat direkte kontribuojnë gjithashtu në sigurimin e stabilitetit social për popullsinë rurale, veçanërisht ato që jetojnë në zona me kufizime natyrore”, thonë në Ministrinë e Bujqësisë.
Përmirësimi i konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së të ardhurave bujqësore, ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe përshtatja me të, si dhe sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të zonave rurale janë pikat e përgjithshme që, siç thonë ata, po fokusohen në Ministri.
“Përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale, modernizimi – mekanizimi që do të zëvendësonte praninë njerëzore do të jepte rezultate të favorshme, sigurisht dhe përfshirje më e madhe e grave në bujqësi.” Gratë janë kyçe për bujqësinë maqedonase. Ne kemi mbështetje për gratë, të cilat janë fermere të regjistruara. Kanë rëndësi të madhe për ruajtjen e bizneseve të vogla bujqësore dhe uljen e pabarazisë gjinore që ekziston në bujqësi”, thonë në Ministrinë e Bujqësisë.
Po ashtu, theksojnë se kanë mbështetje financiare edhe për një anëtare aktive femër të ekonomisë shtëpiake bujqësore, ndërsa në programin për mbështetje financiare për zhvillimin rural, sipas masave të tjera, gratë marrin më shumë pikë në rangimin për shfrytëzimin e mbështetjes financiare, d.m.th. gratë kanë një avantazh kur aplikojnë për masat.
“Nuk ka ekonomi ku gratë nuk janë të përfshira. Ministria përmes masave dhe mbështetjes financiare kërkon t’u japë një theks të veçantë dhe një erë në shpinë që të fillojnë të mendojnë për përfitime financiare nga biznesi i tyre”, thonë ata.
Megjithatë, parashikimet për prodhimin e ushqimit shtëpiak dhe të shëndetshëm janë shqetësuese, veçanërisht për ata pak të rinj që janë të angazhuar në sektorin bujqësor. Ata paralajmërojnë se mungesa e investimeve dhe mbështetjes për bujqësinë dhe prodhimin vendas, së bashku me sfidat ekonomike dhe ato sociale, mund të përkeqësojnë më tej situatën. Kjo mund të çojë në një varfëri të thelluar në zonat rurale dhe një rënie të aftësisë për të siguruar ushqim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për popullatën.
“Bujqësia shtëpiake dhe prodhimi i ushqimit të shëndetshëm janë të rëndësishme për ruajtjen e traditave dhe për zhvillimin ekonomik të zonave rurale. Prandaj, është e nevojshme që të rinjtë të kenë mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kenë mbështetje nga institucionet, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare për të krijuar kushte që do të mundësojnë zhvillimin e bujqësisë të qëndrueshme dhe prodhimin e ushqimeve të shëndetshme”, thonë ekspertët e bujqësisë, ndërsa shtojnë se pa një mbështetje të tillë, ky sektor do të vazhdojë të përballet me sfida të mëdha dhe mund të humbasë mundësitë për të rritur kapacitetet e tij në të ardhmen. /Koha/