E Diela ditë jo pune | Sindikatat të kënaqura, një pjesë e biznesit kundër

    Biznesi gjerman publikoi anketën ku thuhet se një vendim i tillë do të ulë pjesërisht numrin e të punësuarve të tyre. Aktivistët për të drejtat e punëtorëve thonë, nuk mbajnë as ankesat e kompanive se do të kenë humbje apo edhe largime nga puna. Ato edhe ashtu kanë fitime të majme, kështu që pak edhe mund të ulin fitimin tyre

    Prej fillimit të tetorit , vetëm një pjesë e caktuar e punëtorëve do të punojnë ditën e diel. Përskaj shëndetësisë, shërbimeve komunale policisë, ushtrisë, dhe fabrikave që nuk mund të ndërpresin prodhimtarinë, e diela mbetet ditë pune dhe për transportin, barnatoret, mediat, zjarrfikësit, hotelet, sektorin e ushqimit, qendrave tregtare, veprimtarive të caktuara tregtare, pompave të benzinës, si dhe veprimtarive ku nuk mund të ndërpritet procesi i punës etj.

    MËDITJE MË E LARTË DHE DITË E LIRË

    Gjithashtu punëtorët që do të punojnë të dielën do të fitojnë mëditje më të lartë dhe ditë të lirë , që do të mund të shfrytëzojnë në shtatë ditë e ardhshme. Mëditja shtesë për punën të dielën dhe ditët e pushimeve duhet të jetë më 100 për qind të mëditjes për çdo orë të kaluar në punë.

    “Dita e diel bëhet ditë jo pune dhe me këtë bëjmë edhe një hap drejt avancimit të të drejtave të punonjësve dhe të drejtës sociale dhe e vazhdojmë kujdesin dhe mbështetjen për punonjësit si prioritet i këtij koalicioni qeveritar. Në fokus të vëmendjes sonë ishte rëndësia e ekuilibrit mes jetës profesionale dhe asaj private, si një element i domosdoshëm në jetën e punonjësit. Ky ekuilibër kontribuon që punonjësi të jetë më efikas dhe i motivuar në punë, ndërsa nga ana tjetër të ketë një jetë private – familjare dhe shoqërore, e cila plotëson nevojat e tyre dhe të të dashurve të tyre”, theksoi Kryeministri Zoran Zaev në konferencën për shtyp të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut pas miratimit të Propozim-ligjit për ditën e diel ditë jo-pune, në fillim të muajit qershor. Gjithashtu, të gjithë tregtarët që do të punojnë të dielën do tu paguajnë punëtorëve 100 për qind mëditje si dhe 2 për qind të qarkullimit do të paguhet për ndërtimin e kopshteve të fëmijëve.

    DELEGACIONI I BIZNESIT GJERMAN KUNDËR

    Mirëpo një vendim i tillë ka sjellë edhe mendime pro dhe kontra në opinion. Në fillim të këtij muaji, delegacioni i biznesit gjerman në Maqedoninë e Veriut, publikoi anketën ku thuhet se një vendim i tillë do të ulë pjesërisht numrin e të punësuarve të tyre. “Gati gjysma apo 47 për qind e kompanive gjermane në vend janë prononcuar se do të zvogëlojnë numrin e të punësuarve për dhjetë për qind, shtatë për qind do të ulin numrin e punëtorëve për 20 për qind, ndërsa shtatë për qind e kompanive të anketuara do të ulin për bile 30 për qind, numrin e punëtorëve”, thuhet në anketë.

    Analiza më tej thekson se bëhet fjalë për kompani prodhuese në industrinë automobilistike që punësojnë mbi 20 mijë punëtorë. Shumica e tyre punojnë në tre apo katër turne, shtatë ditë në javë për shkak të proceseve të ndërlikuara teknologjike dhe nuk ndërpresin prodhimtarinë përgjatë tërë vitit. Nga atje kërkojnë prolongim të zbatimit të ligjit për dy deri tre vite për të pasur kohë për adaptim, ndërsa shtojnë se në rast se ndërprerin e punën të dielën, 60 për qind prej tyre do të kenë problem me dorëzimin e porosive, ndërsa 40 për qind e tyre thonë se do të paguajnë edhe dëmshpërblim për një gjendje të tillë. Si argumente shtesë kundër të dielës si ditë jo pune, investitorët gjerman theksojnë edhe efektet e padëshiruara si rritja e kostos për importin e lëndëve të para, si dhe nxitja e konkurrencës jo lojale dhe ekonomisë informale.

    FRIKË NGA KEQPËRDORIMET

    Nga ana tjetër, shoqata për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve “Punëtori i zëshëm i tekstilit”, ka kundërshtuar të dielën si ditë jo pune, për shkak se sipas tyre, zgjidhja që kompanitë të mos keqpërdorin të punësuarit dhe të respektojnë të dielën si ditë punë, është ato më në fund të lidhen në mënyrë elektronike me evidencën e orarit të punës në Drejtorinë për të Ardhura Publike. Pritet që ato të kontestojnë së bashku me shoqata dhe një pjesë të sindikatave para Gjykatës Kushtetuese. Nga atje shtojnë se ky ligj nuk ka ofruar interpretim autentik të kompanive që kanë karakter të veprimtarive përcjellëse apo ndihmëse që mund të punojnë ditën e diel. Nga ana tjetër ka reaguar edhe Shoqata e Bastoreve Sportive të Maqedonisë . Sipas tyre, e diela si ditë jo pune për bastoret do të thotë largim nga puna i 30 për qind të të punësuarve dhe të ardhura të reduktuara në buxhet.

    SINDIKATAT TË GJITHË PAJTOHEN ME KËTË ZGJIDHJE LIGJORE

    Nga lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se kjo nismë e tillë është konkretizuar në zgjidhje ligjore përmes rrugës së dialogut social të partnerëve si qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit, që nënkupton se së bashku e kthejmë të dielën si ditë jo pune. Për një numër më të vogël të punëtorëve që punojnë në ato veprimtari që bëjnë përjashtim, keqpërdorimet eventuale nga ana e punëdhënësve do të pengohen me dënime serioze, apo do të punohet vetëm në ato veprimtari që janë të domosdoshme për procesin prodhues apo për nevojat e shoqërisë shtojnë nga LSM.

    AKTIVISTËT KUNDËR PROLONGIMIT EVENTUAL

    Në ndërkohë aktivisti për të drejtat e punëtorëve Zdravsko Savevski, thotë se edhe me këtë zgjidhje ligjore, pushteti tepër ka lëshuar pe duke mundësuar që të punojnë një numër i madh i veprimtarive, dhe shton se kjo zgjidhje ligjore nuk mund të prolongohet dhe anulohet edhe më tej. “Pronarët e kapitalit apo kapitalistët kanë kohë të mjaftueshme që të përshtaten deri në tetor, dhe nuk ka bazë kërkesa e tyre për anulimin e këtij ligji”,shton Savevski. Sipas tij, nuk mbajnë as ankesat e kompanive se do të kenë humbje apo edhe largime nga puna. Ato edhe ashtu kanë fitime të majme, kështu që pak edhe mund të ulin fitimin tyre, shton ai. Ndryshe, punën të dielën e mbrojnë Gjermania, Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Luksemburgu, ndërsa ditë të caktuara të së dielave në vit me dyqane që mund të punojnë kanë Polonia, Holanda, Sllovenia, Spanja… Jashtë BE-së, në Norvegji dhe Zvicër nuk punojnë shitoret të dielën. Përkufizimi i punës për ditën e diel është në përkufizim edhe me Direktivën Evropiane, për baraspeshën midis jetës private dhe biznesore, që e ka miratuar Parlamenti Evropian në vitin 2019, dhe duhet të implementohet në legjislacionin e shteteve anëtare deri më vitin 2022. Ajo pritet të mundësojë ndër të tjerash, që prindërit të kërkojnë orar të shkurtuar apo fleksibil të punës, punë nga shtëpia atje ku mund të harmonizohen obligimet familjare dhe të punës. Me fjalë tjera, kjo direktivë ka për qëllim, edhe ballafaqimin evropian me plakjen e popullatës, uljen e natalitetit, që do të sjellë tronditje ekonomike, andaj edhe nevojitet të përmirësohet pozita e prindërve të punësuar, për shkak se nuk mund të rritet nataliteti me angazhimet e shumta në punë./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Dhimbja është mësuesja më e mirë në jetë

    Lajmi i rradhës

    Higjiena në shkolla e (pa)mjaftueshme!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë