E pranon edhe kryeministri Kovaçevski: Jemi larg çrrënjosjes së korrupsionit

    Nuk duhet të ketë tolerancë për korrupsion dhe duhet mënjanuar të gjitha format e kësaj dukurie, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në debatin e organizuar nga Komisioni Antikorrupsion. Ai gjatë fjalimit të tij, kritikoi situatën në të cilën jemi, duke thënë se jemi shumë larg çrrënjosjes së korrupsionit.

    “-A jemi afër? Jo, jemi shumë larg. Sepse kur keni qenë dhe kur keni punuar në kushte ku respektohen legjislacionet dhe kur ktheheni në kushte të cilat i kemi për momentin, do të thotë se na pret shumë punë. Ne jemi shtet ku dyshohet se një kompani e cila nuk ekziston ka marrë 90 tenderë. Paramendoni po të kishte ekzistuar, sa tenderë do të merrte? Kjo duhet të çrrënjoset.“, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Zv/kryeministrja për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska tha se nuk ekziston sistem ideal dhe ligj që mund t’i parandalojë përpjekjet për abuzim, por qytetarët kërkojnë sistem që do të funksionojë dhe do të ketë rend. Rol i veçantë në detektimin e abuzimeve kanë edhe denoncuesit, tha ajo.

    “Çdo shoqëri duhet të ketë mekanizëm dhe mënyrë për t’i mbrojtur denoncuesit, për shkak se ata janë element i rëndësishëm në mbrojtjen nga të gjitha format e abuzimit dhe korrupsionit, dhe të gjitha institucionet në nivel më të lartë deri në nivelin më të ulët duhet të punojnë në zbatimin e plotë“, tha Sllavica Gërkovska, zv/kryeministre.

    Kryetarja e Komisionit antikorrupsion nënvizoi se përqindja e rekomandimeve të miratuara për ballafaqim të suksesshëm me korrupsionin është shumë e ulët, rreth 30%. Nga ana tjetër thekson se ndikimi politik në të gjitha sferat është shumë i lartë.

    “Ndikimi negativ politik del në pah edhe gjatë vendosjes së strukturës së lartë udhëheqëse nëpër institucione, gjatë dakordimit të tenderëve të shtrenjtë, planifikimit urbanistik, shitjes së pronës shtetërore, lidhjes së marrëveshjeve për koncesione, dhënies së licencave, dhënies së mjeteve nga vauçerat për federatat e sportit, klubet, sportistët, etj”, theksoi Biljana Ivanovska, kryetare e KPShK-së.

    Strategjia nacionale për luftë kundër korrupsionit u miratua në Kuvend para një viti, megjithatë anëtarët e këtij komisioni dërguan vërejtje se nuk respektohen rekomandimet. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Rikthehet prodhimi i kriptovalutave në veri

    Lajmi i rradhës

    Shkup, pastruesja vodhi flori në vlerë prej 960 mijë denarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë