E pranon edhe Mariçiq: Holanda është e shqetësuar për ndryshimet në Kodin Penal

    Krahas reagimit të Komisionit Evropian për ndryshimet e fundit kontroverse në Kodin Penal, Holanda ka reaguar edhe në mënyrë bilaterale ndaj Qeverisë dhe ka shprehur shqetësimin për ndryshimet e parapara ligjore, ka pranuar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

    “Kam pasur kontakte me ambasadoren holandeze dhe përfaqësues nga Haga. Ata shprehën shqetësimin dhe thanë se do të vazhdojnë të monitorojnë situatën. Asgjë më shumë se kaq, asgjë më shumë se sa u konstatua në njoftimin e Komisionit Evropian. Jemi në komunikim, Holanda ka qenë le të themi e vetmja që ka reaguar drejtpërdrejt, dypalëshe dhe pjesa tjetër përmes KE-së”, ka thënë Mariçiq në një intervistë për “360 Gradë”.

    Reagimi nga Holanda erdhi pas miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend.

    “Të gjitha reagimet kanë qenë pas miratimit të ligjit, ndonëse ne e kemi njoftuar menjëherë Komisionin Evropian dhe përfaqësuesit e SHBA-së se një ligj i tillë do të miratohet”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane.

    Pyetjes – a presin që të bëhet problem real nëse në një moment Holanda thotë – nuk mund të lejojmë që procesi të vazhdojë edhe nëse kalohen amendamentet kushtetuese – Mariçiq është përgjigjur se nuk e presin një gjë të tillë.

    “Unë nuk mendoj se ka ndonjë çështje të hapur apo problem që ne nuk mund ta zgjidhim gjatë procesit të negociatave, tani është koha. Ne kemi gjithashtu një ekspert holandez i cili është duke punuar në udhërrëfyesin për sundimin e ligjit, së bashku me ekipin tonë”, thotë Mariçiq.

    Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

    Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

    Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

    Lajmi Paraprak

    Pamjet ku shihet Milan Radojçiq, në mesin e grupit terrorist serb (Video)

    Lajmi i rradhës

    Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve / Doko: Punojmë bashkë për një vend më progresiv

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë