Edhe 20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, gjuha shqipe ende nuk gjen zbatim të plotë

    Përvjetori jubilar i Marrëveshjes së Ohrit e gjen të cunguar përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike. Ndonëse ishte njëra nga 4 shtyllat kryesore të marrëveshjes që solli paqen pas konfliktit të armatosur të 2001-it, edhe pas dy dekadash zbatimi i gjuhës shqipe në të shumtën e rasteve mbetet në suaza të vullnetit të organeve shtetërore. Ligji për përdorimin e gjuhëve vazhdon të mbetet në letër, por jo në dokumentet zyrtare të disa institucioneve kryesore të vendit. Edhe Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi pranon se jo të gjitha institucionet e shtetit e zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, por sipas tij me rëndësi është që gjuha është e rregulluar me kushtetutë dhe ligj.

     “Të gjitha materialet në Qeveri, në Kuvend, në Presidencë, në Komuna janë në gjuhën shqipe. Ka institucione ku akoma lë për të dëshiruar zbatimi i përpiktë i gjuhës shqipe por me rëndësi është që me Kushtetutë dhe me Ligj gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në RMV. Ndërsa institucionet, të cilat i kemi themeluar si është Agjencia dhe Inspektorati duhet ta bëjnë punën e tyre të përditshme”, deklaroi Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë i RMV-së.

    Ndonëse Agjencia për Zbatimin e Gjuhës u themelua menjëherë pas hyrjes në fuqi të Ligjit përkatës në fillim të 2019-ës, mbetet ende e pafuqishme për të vënë në funksion të plotë aktet e tyre normative. Inspektorati për përdorimin e gjuhëve duhej të niste me punë gjashtë pas formimi të Agjencisë për zbatimin e ligjit për gjuhët, por ky Inspektorat ende nuk është konsoliduar nga që inspektorët janë në trajnim 9 mujor. Drejtori i këtij organi Fatmir Iseni tha se pritet që me vetë 6 inspektor të operohet në terren, që janë larg vëllimit të denoncimeve të qytetarëve dhe nëpunësve shqiptarë, të cilët e bëjnë përmes ueb faqes tyre.

     “Për momentin tash do ti marrim tre inspektorë licencat dhe pjesa tjetër e inspektorëve e kanë kryer trajnimin dhe do fillojnë me punën me mentor. Gjithsej janë 6 inspektorë, por nuk janë të mjaftueshëm për arsye se ne çdo herë kërkojmë punësime të reja. Buxhetin që e kishim të paraparë aq punësuam dhe presim që këtë vit të ketë më tepër të punësuar veçanërisht nga radhët e inspektorëve”, pohoi Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit.

    Sipas autoriteteve, inspektorët e parë në terren pritet të dalin pas dy muajsh, por që ligji fillimisht ua lejon vetëm tërheqjen e vërejtjeve me shkrim e në rast të përsëritjes së mos respektimit të gjuhëve, inspektorët kanë të drejtë të shqiptimit të gjobave deri në 5 mijë euro për institucionet shtetërore.

    Por, gjuha shqipe nuk figuron as në emblemat e uniformave të policisë. Kjo problematikë e kamotshme u diskutua edhe në seancën e fundit të qeverisë dhe sipas ekzekutivit gjuha shqipe së shpejti do të figuroj edhe në uniformat e policisë së shtetit dhe policisë pyjore në territorin ku zbatohet dygjuhësia./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet lokale me 17 tetor | Pendarovski s’do të dekretojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor

    Lajmi i rradhës

    Vetëm 30% e territorit të vendit ka kanalizime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë