Edhe dy ditë për listën zgjedhore të 11-të janarit, censusi nuk vlen përsëri

    Fletëvotim / Fotografia: Nistori

    Edhe dy ditë mbeten në dispozicion që banorët e Gostivarit, Vrapçishtit, Qendër Zhupës dhe Mavrovë-Rostushës të kontrollojnë listën zgjedhore. Shqyrtimi publik i listës mbyllet me 10 dhjetorit në mesnatë.

    Pak ditë kanë në dispozicion edhe partitë politike që të vendosin për kandidatët e tyre për këto katër komuna. Listat e kandidatëve dorëzohen më vonë deri më 11 dhjetor në ora 24, 30 ditë para ditës së zgjedhjeve.

    Zgjedhjet lokale do të përsëriten më 11 janar në katër komunat ku nuk u arrit censusi i daljes prej të paktën 1/3 së votuesve më 19 tetor. Kodi zgjedhor parashikon që në përsëritjen e zgjedhjeve nuk vlen kushti i censusit.

    “Zgjedhjet e përsëritura mbahen jo më vonë se 60 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, me ç’rast nuk zbatohet kushti në lidhje me pjesëmarrjen e një të tretës së numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për komunën përkatëse”, thuhet në Kodi zgjedhor, Neni 132-a.

    Partitë politike nuk i kanë zyrtarizuar akoma kandidaturat për këto komuna. Në Gostivar dhe në Vrapçishtë pritet të përballen VLEN dhe AKI. Ky i fundit përballet me sfida brenda koalicionit, megjithatë BDI-ja ka komunikuar se do të mbështesë kandidatët e njëjtë të partisë së Taravarit, Valbon Limanin dhe Isen Shabanin. I besuari i Qeverisë në Gostivar, Fadil Xhelili ka thënë se është i gatshëm të pranojë të jetë kandidat i VLEN-it për zgjedhjet e 11 janarit, në rast se ashtu vendos koalicioni.

    Zgjedhjet për kryetar komune do të përsëriten edhe në Mavrovë-Rostushë ku më 19 tetor u përballen dy partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, si dhe në Qendër Zhupë ku më 19 tetor u përballën Partia Demokratike e Turqve, Partia për Lëvizjen e Turqve dhe Lëvizja për Bashkim Nacional të Turqve.

    Fushata zgjedhore do të fillojë më 22 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 9 janar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë duhet të dijë fëmija para se të mbetet vetëm në shtëpi!

    Lajmi i rradhës

    Cilët sektorë në RMV kanë rrogat më të larta dhe më të ulëta?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë