Edhe katër milionë denarë për projektet në Dibër

    Pushteti vendor i Dibrës edhe këtë vit vazhdoi të përkrahë shoqatat qytetare, klubet sportive dhe krijuesit individualë, duke i stimuluar përmes mbështetjes së projekteve lokale që financohen nga buxheti lokal. Këshilli Komunal, njëzëri, solli vendim për të përkrahur projektet që kishin arritur në thirrjen për financimin e projekteve për vitin 2025. Sipas kryetarit të komisionit për ndarjen e mjeteve, për këtë aktivitet, nga buxheti komunal u ndanë 4 milionë denarë, me qëllim që të stimulohen aktivitetet e shoqatave qytetare, klubeve sportive, por edhe të krijuesve individualë.

    Në debatin që u zhvillua rreth propozimit të komisionit special për financimin e projekteve lokale, anëtarët e Këshillit theksuan se qëllimi i pushtetit vendor është shumë i mirë, por ka nevojë për një selektim më të kujdesshëm në lidhje me financimin e projekteve të individëve, respektivisht krijuesve lokalë. Këshilltari, Emin Vërzivolli tha se përzgjedhja duhet të jetë më profesionale, duke respektuar kriteret e shpalljes. Ai potencoi se nevoja për përkrahjen e projekteve është shumë domethënëse, por kërkohet më shumë vëmendje në këtë proces.

    Edlira Lata nga komisioni që realizoi përzgjedhjen e projekteve tha se ky është një aktivitet lokal që stimulon të gjitha iniciativat komunale. Ndërsa kryetari i Komunës, Hekuran Duka, duke dhënë sqarime rreth shpalljes për përkrahje të projekteve lokale, tha se bëhet fjalë për një aktivitet shumë të nevojshëm për Komunën e Dibrës dhe për zhvillimin e kulturës dhe sportit. “Stimulojmë festivalet lokale, koncertet, sportet, por edhe krijuesit lokalë në sferën e botimeve të librave apo aktiviteteve muzikore. Ne, si komunë, duhet t’i përkrahim këta krijues”, shtoi Duka.

    Duka u shpreh se pa përkrahjen e aktiviteteve të shoqatave, klubeve dhe krijuesve individualë, shumë nisma nuk do të mund të realizoheshin.

    Në debat pati gjithashtu shumë kritika lidhur me mjetet që marrin krijuesit individualë në kuadër të këtij aktiviteti. Sipas kritikave, disa projekte të krijuesve lokalë nuk e meritojnë financimin. Gjithashtu, u përmend fakti se shumë shoqata dhe krijues marrin mjete nga Ministria e Kulturës për projekte dhe më pas kërkojnë sërish mbështetje financiare nga komuna nëpërmjet këtij programi.

    Biseduam me disa nga udhëheqësit e shoqatave, klubeve, por edhe krijues të cilët shprehën falënderime për këtë iniciativë të komunës. “Pa këto mjete që ndan komuna, nuk mund të realizohen aktivitetet tona. Festivali ‘Kukulla Dibrane’ nuk do të mund të zhvillohej pa përkrahjen e Komunës së Dibrës”, tha organizatori i festivalit, Arben Jajaga nga shoqata “Art Kult 57”. Sipas tij, mjetet nga ministria janë shumë minimale për realizimin e aktiviteteve.

    Edhe krijuesit lokalë thonë se botimet e tyre nuk mund të realizohen pa përkrahjen e projekteve nga pushteti vendor i Dibrës. Edhe këtë vit, me konkursin e komunës, u ndanë mjete për festivalin “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, festivalet për fëmijë “Bilbilat e Korabit”, “Radika Fest”, “Kukulla Dibrane” etj. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndërtimi vazhdon të mbetet motor ekonomik – shpenzimet për materiale arrijnë majat

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria abstenuan gjatë thirrjes për armëpushim në Gazë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë