Edhe mërgimtarët kurorëzohen në Dibër

    Gjatë kësaj vere vërehet një rritje të numrit të kurorëzimeve në komunën e Dibrës. Sipas sektorit për martesa pranë komunës Dibër, në periudhën janar-korrik të këtij viti, numri i kurorëzimeve është 75. Është një numër më i madh në krahasim me kurorëzimet të vitit 2022 në të njëjtën periudhë, kur u kurorëzuan gjithsej 48. Edhe këtë verë ka një rritje të numrit të kurorëzimeve të cilët i realizojnë në vendlindje bashkëshortët e rinj që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit.

    Udhëheqësja e sektorit për martesa pranë pushtetit vendor në Dibër, Afërdita Shaini për gazetën KOHA thotë se nga gjithsej 75 kurorëzime, shumica janë kurorëzime që kanë bërë çiftet e rinj që jetojnë kryesisht në Itali, Zvicër, Gjermani dhe shtet të tjera të Unionit Evropian, por që vendlindje e kanë Dibrën. Shaini potencon se edhe gjatë verës së kaluar ka patur numër të konsiderueshëm të kurorëzimeve respektivisht rreth 50. Ndërsa deri në fund të vitit të kaluar gjegjësisht 2022, në këtë njësi janë regjistruar gjithsej 138 kurorëzime. Ajo tha se sipas parashikimeve sivjet ky numër do të jetë edhe më i madh i kurorëzimeve pasi që një pjesë bukur e mirë e mërgimtarëve tanë që kryesisht jetojnë në shtete të Unionit Evropian, martesat i realizojnë gjatë muajit dhjetor.

    “Pandemia domethënë ndikoi edhe në sferën e martesave. Gjatë këtyre dy verave vërehet një rritje të martesave mes të rinjve që jetojnë në diasporë në krahasim me vitet e kaluara. Bëhet fjalë për një dëshirë të të rinjve që të kurorëzohen në Dibër. Kur jemi tek martesat mes të rinjve të cilët jetojnë në mërgim, një pjesë e theksuar e tyre janë të rinj të cilët përzgjedhin çiftin nga vendlindja. Kur flasim për kurorëzimet në komunën e Dibrës duhet të theksojmë se banorët të fshatrave Xhepisht dhe Otishan kanë zyrën të bashkësisë lokale ku bëhen kurorëzime por që ata kurorëzime janë të pakta, respektivisht sivjet 9 kurorëzime, meqë të rinjtë kryesisht të kësaj ane kurorëzohen më së shumti në Dibër”, ka theksuar Shaini.

    Kur bëjmë fjalë për kurorëzimet gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti duhet theksuar edhe faktin se mbi 90 për qind të kurorëzimeve të regjistruara, paraprakisht kanë bërë kurorëzimin edhe fetar në Myftininë e Dibrës.

    Në Myftininë e Dibrës thonë se pas fillimit të pluralizmit, është traditë që në fillim bëhen kurorëzimet fetare e pastaj bëhen kurorëzimet ligjore. Burimi i njëjtë potencon se nga viti në vit ka një rritje të dukshme të të rinjve që martohen, në fillim t’i bëjnë martesat fetare. Poashtu kur bëhet fjalë për martesat fetare ka shumë çifte që jetojnë në diasporë, gjatë sezonit veror i bëjnë kurorëzimet në Myftininë e Dibrës. Të dhënat të shoqatave të kurbetçarëve dibran që veprojnë në disa shtete të Unionit Evropian, thonë se të paktë janë të rinjtë dibran që bëjnë kurorëzime vetëm atje e jo në vendlindje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Inflacioni “hëngri” pensionet!

    Lajmi i rradhës

    Rriten rastet me meningjit në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë