Edi Rama i kundërvihet Gjukanoviqit dhe Osmanit për “Ballkanin e Hapur”

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i është vënë kundër presidenitit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani të mërkurën pas deklaratës së tyre të përbashkët kundër “Ballkanit të Hapur,” iniciativës për bashkëpunim rajonal që zyrtarisht përkrahet nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por refuzohet nga Kosova, Bosnja Herzegovina dhe Mali i Zi.

    Rama ka vënë sërish peshën e tij politike prapa kësaj iniciative rajonale përkundër kundërshtimit të vazhdueshëm të saj nga akterët politikë në rajon.

    “Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nismë nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot“, shkroi Rama në rrjetin social Twitter.

    Reagimi i tij vjen vetëm disa orë pas deklaratës së presidentit malazez Gjukanoviq dhe presidentes së Kosovës Osmani të cilët thanë se nuk e shohin “Ballkanin e Hapur” si një iniciativë të qëlluar rajonale dhe se do të vazhdojnë të mbështesin iniciativat tjera rajonale, të cilat janë krijuar më parë, siç është Procesi i Berlinit.

    “Në vend të krijimit të iniciativave të reja, ta shfrytëzojmë potencialin e iniciativave aktuale si procesi i Berlinit”, ka thënë Gjukanoviq gjatë një konference të përbashkët me Osmanin gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë të cilën Mali i Zi e ka njohur tetë muaj pas shpalljes.

    Nisma “Ballkani i Hapur” është bërë shpesh arsye e përplasjes mes liderëve të vendeve që janë pjesë e iniciativës, dhe atyre që nuk janë. Kryeministri i Shqipërisë ka thënë vazhdimisht se kjo iniciativë do të vazhdojë “pa lëkundje”, me apo pa vendet tjera.

    Kjo këmbëngulje e kryeministrit Rama ka ngjallur debat dhe është kritikuar për shkak se vendet jashtë nismës e konsiderojnë iniciativën si përpjekje të Serbisë për dominim rajonal ndërkohë që Serbia vazhdon të ndjekë politikë destabilizuese në këto shtete.

    Megjithatë, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili është zgjedhur në këtë pozitë muajin e kaluar me përkrahjen e partisë së Gjukanoviqit pas kollapsit të qeverisë pro-serbe në Mal të Zi, është shprehur në favor të inicativës duke theksuar përmirësimin e komunikimit mes vendeve në rajon.

    Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim rajonal.

    Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.

    Këtij mendimi i është bashkuar edhe opozita e Shqipërisë, me rikthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në skenën politike, i cili vazhdimisht ka akuzuar kryeministrin Rama për afërsi me Serbinë dhe e ka quajtur Ballkanin e Hapur “një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”.

    Nisma, që fillimisht u quajt “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.

    Shtetet pjesë e kësaj iniciative kanë vendosur që lëvizja e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime.

    Në kuadër të kësaj nisme është arritur edhe marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

    Këto tri shtete kanë vendosur që nga 1 janari i vitit 2023 t’i heqin edhe kontrollet doganore.

    Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar po ashtu marrëveshje për bashkëpunim sa i përket parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive natyrore. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Si të shmangni djersitjen e tepërt

    Lajmi i rradhës

    Edhe andrrat shiten…

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë