EKONOMIA E VITIT 2023 NUK PREMTON SHUMË

    Viti i ardhshëm në aspektin ekonomik për Maqedoninë e Veriut, do të jetë plot sfida dhe probleme. Përskaj pasojave të luftës në Ukrainë me rritjen inflacionit, naftës, energjisë elektrike, dhe ushqimeve, mbetet edhe paqartësia e zgjatjes së luftës dhe ndikimit të mëtejshëm negativ në ekonominë botërore, evropiane dhe të Ballkanit perëndimor. Ekzekutivi ka premtuar vazhdimin e konsolidimit fiskal, që nënkupton uljen graduale të borxhit publik dhe të deficitit buxhetor apo dallimit midis të hyrave dhe të dalave në buxhet. Ulja e papunësisë dhe ekonomisë informale, përmirësimi i cilësisë së arsimit, tranzicioni i gjelbër, rritja e konkurrencës së ekonomisë vendore. Këto janë vetëm disa nga reformat strukturore që pritet gradualisht të kthejnë ekonominë ndaj shtigjeve të rikuperimit.

    Eksperti ekonomik Arben Halili thotë për gazetën KOHA, se viti i ardhshëm në aspektin ekonomik për vendin do të jetë në radhë të parë tepër sfidues në drejtim të konsolidimit ekonomik, dhe atij fiskal.

    “Për më tepër, i pari ngërthen hapat e domosdoshëm pse jo edhe radikal në riparimin të pasojave të post Kovid, e mbi të gjitha pasojat e inflacionit tepër të lartë dhe dyshifror, jo vetëm në Maqedoni por fatkeqësisht në tërë Evropën dhe botën. Andaj si rrjedhojë e kësaj , rikuperimi ekonomik do të jetë edhe më i vështirë sesa kemi pritur pas pandemisë”, vlerëson Halili. Sipas tij, në aspektin e konsolidimit fiskal, janë të patjetërsueshme reformat strukturore të propozuara nga ministri i financave Fatmir Besimi, ku implementimi i tyre, është më se i nevojshëm. Ai vlerëson se si për qytetarët ashtu edhe për biznesin, edhe 2023-ta sërish do të jetë një vit I vështirë për tu kapërcyer, i ndjekur me vazhdimin të ikjes së popullatës jashtë vendit .

    VAZHDON IKJA

    Për qytetarët e Maqedonisë, fatkeqësisht do të vazhdojnë trendet negative të shpërnguljes që vlen sidomos për grupmoshat e reja me profesione që kërkohen në treg ku si destinacion më atraktiv mbetet Gjermania, edhe si rrjedhojë e masave dhe lehtësimeve të mëtejshme nga janari i vitit 2023, thotë Halili.

    Lidhur me standardin jetësor të qytetarëve dhe pagave, ai shton se nevojitet një ndërhyrje më e madhe e shtetit sidomos ndaj politikave arsimore dhe sociale, ku shfrytëzuesit e ndihmave sociale që nuk kanë kualifikim adekuat apo fuqia punëtore e disponueshme nevojitet të angazhohet në rikualifikimin dhe trajnim për të fituar një zanat të ri, të aftë të kalojë në tregun e punës për të përmirësuar mirëqenien e tyre. Shteti dhe sektori privat në kuadër të mundësive do të rrisin nivelin e pagave në vend, por ato vështirë së mund të ndjekin shtrenjtimin galopant të jetesës në vend dhe rritjen e çmimeve, sidomos kur kemi parasysh edhe kapacitetet vendore fiskale të kufizuara.

    Njëherësh për shkak të rritjes së madhe të çmimeve dhe inflacionit dyshifror, tani edhe rritja e pagës minimale dhe asaj mesatare nuk kanë asnjë vlerë përballë këtyre treguesve ekonomi. Bile tani edhe paga prej 500 euro ka vlerën e asaj të dikurshme prej 300 euro, vlerëson Halili. Andaj duhet të tentohet së paku të nivelizohet inflacioni me rritjen e pagës minimale bruto në të paktën 500 euro apo neto në 23-24 mijë denarë. Në fund, ai konstaton se në favor të mbështetjes më të madhe të kompanive vendore do të ishte edhe kthimi e borxheve nga ana e shtetit ndaj kompanive private në një afat prej 60 ditësh që duhet të zbatohet nga vitin 2023 dhe jo disa vite më vonë. Apo nevojitet një harmonizim më i madh midis sektorit publik dhe privat në aspektin e borxheve. Gjithashtu, për një mbështetje më të madhe të kompanive private që e mbushin arkën e shtetit nevojitet që investimet kapitale të orientohen përmes sektorit real në ekonominë vendore.

    ENERGJIA DHE BIZNESI

    Nga ana tjetër, vlerësohet se edhe viti i ardhshëm sërish pritet të jetë i vështirë për biznesin me çmime të larta të energjisë dhe prodhimeve ushqimore të shtrenjta. “Situata me veprimet ushtarake në Ukrainë vazhdon dhe ne nuk shohim një qetësim në këtë segmenti. Kjo nënkupton se energjia përsëri do të arrijë përsëri nivel të lartë. Lajmi i mirë është se Maqedonia po kalon një dimër mjaft të ngrohtë, i cili pjesërisht i zvogëloi kostot e kompanive dhe mendoj se gradualisht e përshpejtoi edhe procesin e vendosjes së burimeve alternative të furnizimit me energji elektrike”, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike, Antoni Peshev. Ai thekson se një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të tyre tashmë janë duke punuar intensivisht në instalimin e sistemeve fotovoltaike ose janë në përfundim të punimeve.

    “Qeveria e kuptoi thirrjen tonë që ai segment duhet të liberalizohet dhe mendoj se në periudhën e kaluar kemi parë një numër jashtëzakonisht të madh të kompanive që kanë investuar mjete të çilat nuk kanë qenë të dedikuara enkas për këtë vit, por që po e bëjnë pikërisht për shkak të krizës”, tha Peshev.

    Ai theksoi se mosfunksionimi i Ukrainës shkakton probleme edhe me tregun ushqimor dhe kjo sigurisht që do të ndikojë në çmimin e prodhimeve ushqimore bazë. “Një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para në industrinë ushqimore dhe përpunuese të Maqedonisë vijnë nga ato tregje. Lajmi i mirë është se Serbia ka një politikë jashtëzakonisht të hapur, veçanërisht pasi ne jemi anëtarë të Ballkanit të Hapur. Mendoj se kjo do ta zbusë pak krizën. Shpresoj se Qeveria nuk do të lëvizë ndaj rritjes së barrës tatimore për kompanitë që janë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë”, vlerëson Peshev.

    SONDAZHET, QYTETARËT TË PAKËNAQUR

    Sondazhi i fundit Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon se qytetarët e Maqedonisë nuk janë të kënaqur me mënyrën e jetesës dhe as nuk presin që ajo të ndryshojë për më mirë. Përkundrazi, shumica presin që gjërat vetëm të përkeqësohen. Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se cilësia e tyre personale e jetës ishte përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar, që është gjithashtu një rezultat rekord për këtë pyetje në dhjetëra vitet e fundit në sondazhet e IRI. Rreth 40 për qind janë përgjigjur se cilësia e tyre ka mbetur e njëjtë dhe vetëm 6 për qind kanë thënë se është përmirësuar.

    Sa i përket gjendjes ekonomike në familje, vetëm 1 për qind janë shprehur se është shumë më mirë se vitin e kaluar, ndërsa 9 për qind është relativisht më mirë. Mbi 40 për qind thanë se ishte më keq ose shumë më keq. Të ardhurat mujore plotësojnë plotësisht nevojat e vetëm 4 për qind të qytetarëve, sipas përgjigjeve të të anketuarve. Pothuajse një e treta thanë se ato të ardhura nuk janë të mjaftueshme për ta. Çmimet e larta për 31 për qind të të anketuarve janë problemi më i madh në vend, ndërsa për 29 për qind është varfëria. Situata ekonomike (25 për qind ), pagat dhe pensionet e ulëta (21 për qind ), papunësia (18 për qind ) dhe korrupsioni (12 për qind ) janë gjithashtu në listën e problemeve më të mëdha në vend. Për 53 për qind të të anketuarve, cilësia e jetës së tyre është përkeqësuar, ndërsa për 41 për qind situata është e njëjtë si më parë.

    BANKA POPULLORE, RRITJE MË E VOGËL EKONOMIKE

    Sipas të gjitha parashikimeve, nën ndikimin e faktorëve të politikës së jashtme, gjasat për rritjen e ekonomisë apo Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk janë edhe aq të favorshme. Nga Banka Popullore thonë se ndërprerjet e furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe logjistikës globale, si dhe kostot më të larta të prodhimit të shkaktuara nga çmimet më të larta të energjisë po rrisin çmimet e ushqimeve në tregjet botërore. Lëvizjet e tilla të çmimeve në bursat botërore u transmetuan edhe në ekonominë vendore duke qenë se jemi një ekonomi jashtëzakonisht e hapur (140 për qind e PBB-së). Nisur nga fakti se çmimet e ushqimeve dhe energjisë në vendin tonë përbëjnë tre të katërtat e inflacionit total këtë vit, Banka Popullore e rishikoi inflacionin për këtë vit në 14.3 për qind. Parashikimet e fundit për lëvizjet e tregut botëror sugjerojnë një lehtësim gradual të presioneve të çmimeve nga çmimet e importit, me çmimet e ushqimeve dhe naftës që pritet të bien gjatë vitit të ardhshëm.

    Si rezultat i kësaj, si dhe nën ndikimin e masave të shpallura për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për industrinë ushqimore nga shteti dhe efekteve të shtrëngimit gradual të politikës monetare, në vitin 2023 inflacioni parashikohet të ngadalësohet në rreth 8-9 për qind. Parashikimet e Bankës Popullore të Maqedonisë, shkojnë në drejtimin se ambienti i jashtëm jo i favorshëm, efektet e dukshme të krizës në një pjesë të kapaciteteve prodhuese vendore me rritje të kostove të prodhimit, kryesisht të lidhura me energjinë, si dhe ulja e fuqisë blerëse të popullsisë, janë faktorë që ndikojnë në korrigjimin në rënie të rritjes për vitin 2022. dhe 2023. Pritjet për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë, janë që ajo të ngadalësohet këtë vit dhe vitin e ardhshëm, siç pritet edhe për ekonominë globale. Sipas skenarit bazë të Bankës ritmet e rritjes janë 2.3 dhe 2.6 për qind për vitin 2022 dhe 2023, ndërsa me skenarin alternativ priten rritje prej 2 dhe 1.8 për qind për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Në afat të mesëm, rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.6 në vitin 2024 dhe 4 për qind në vitin 2025. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Ajri i ndotur po mbush spitalet në RMV

    Lajmi i rradhës

    Vitin e kaluar në RMV janë lindur më shumë meshkuj se femra

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë