Ajri i ndotur po mbush spitalet në RMV

    Pas pauzës dyvjeçare si pasojë e virusit korona, tani përsëri po marrin vrull viruset tjera respiratore si dhe infeksionet bakteriale. Tashmë disa ditë për qytetarët e pothuajse të gjithë vendit vështirë është edhe të marrin frymë pasi ajri po regjistron përqendrime të larta të grimcave PM.

    Në deklaratë Dr. Ajshe Abazi tha se ndotja e ajrit është problem për të gjitha kategoritë por më të prekurit prej saj janë fëmijët, e në veçanti ata fëmijë që kanë imunitet të dobët, kanë probleme me traktin respirator si dhe probleme tjera që mund t’i kenë që nga lindja. “Si masë preventive duhet që nga vetë prindërit të iniciohet mos nxjerrja jashtë e fëmijëve me kësisoj probleme pasi ajri i ndotur që po mbizotëron këtë periudhë do të mund të hapte rrugë edhe më të vështira për vet fëmijën”, theksoi Abazi për gazetën tonë.

    Sipas raportit të Institutit për Shëndet Publik, në sezonin 2022-2023 numri i rasteve me sëmundje të ngjashme me gripin është 295, ndërsa si pasojë e gripit deri tani është regjistruar edhe një viktimë. Nga Qendra për Ndryshime Klimatike paralajmërojnë se ndotja e ajrit edhe në përqendrimet më të ulëta të ndotjes është një kërcënim kryesor për shëndetin e njeriut. Në veçanti i nënvizojnë grimcat PM 2.5, të cilat pasi janë shumë të vogla pasi të thithen mund që lehtësisht të hyjnë në mushkëri apo në gjak dhe të shkaktojnë probleme shëndetësore, si sëmundje të zemrës dhe mushkërive.

    Sipas vlerësimit të OBSh-së përmbushja e vlerave të reja kufitare prej 5 mg për metër kub për grimcat e pezulluara në madhësi prej 2.5mg/m3 në nivel botërorë mund të shmang 80% të vdekjeve që lidhen me këto grimca. “Në përputhje me rregullat tona ligjore për vlerat kufitare dhe objektive është përcaktuar vlera mesatare vjetore prej 2.5mg/m3, ndërsa e papërcaktuar është vlera mesatare ditore. Ajo që duhet përmendur është se vlera e re mesatare kufitare PM 2.5 nuk është arritur nga asnjë metropol në botë. Udhëzimet e forcuara të OBSH-së sa i përket kualitetit të ajrit e që nuk janë ligjërisht të detyrueshme, synojnë të parandalojnë vdekjet që shkaktohen si pasojë e ajrit. Megjithatë, qëllimi është të ushtrohet presion mbi politikanët që të ndërmarrin hapa për uljen e ndotjes së ajrit, pasi zgjidhja e këtij problemi kërkon bashkëpunim ndër sektorial nga disa sektorë”, tha Filip Stojanovski nga Qendra për Ndryshime Klimatike.

    Për shkak të ndotjes së lartë të ajrit, Ministria e Ambientit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë njoftoi se hyjnë në fuqi rekomandimet për lirim nga puna e qytetarëve të rrezikuar, riorganizimi i orarit të punës për persona që punojnë jashtë, anulimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore në natyrë dhe rritja e aktivitetit të shërbimeve të ndihmës mjekësore urgjente. Ministri Nuredini është kategorikë në atë se jo ministria por komunat janë përgjegjëse për planet operative për mbrojtjen e ajrit, si dhe janë kompetente për zbatimin e masave të parapara për përmirësimin e cilësisë dhe veprimit gjatë episodeve për rritjen e ndotjes së ajrit. Me ligjin e ri të gjithë instalimet që kanë një leje të integruar, do t’u kërkohet një stacion matës i cili do të masë ndotjen gjatë 24 orëve në ditë. /Koahmk/

    Lajmi Paraprak

    Në Maqedoni rritet numri i martesave, por edhe i divorceve

    Lajmi i rradhës

    EKONOMIA E VITIT 2023 NUK PREMTON SHUMË

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë