Ekspertët e RMV: jo në tokë bujqësore fotovoltaikët

    Në kohë kur 70% e nevojave ushqimore importohen, fotovoltaikët vendosen në toka pjellore bujqësore në gjithë vendin, siç është Ovçe Pole apo Pellagonia. Ekspertët thonë se duhet kushtuar vëmendje se ku dhe në cilat vende janë instaluar sisteme të tilla.

    “Sidomos në sipërfaqen e tokës që është e kategorisë së parë, së dytë apo së tretë, është rreptësishtë e ndaluar në të gjithë botën të bëhet ndonjë gjë në ato parcela, të cilat kanë rëndësi strategjike. Nga kategoria e katërt e tutje nuk kontestohet, dëgjoj se ka presione politike që të përdoret edhe për kategorinë e tretë”, tha Zoran Mitreski- ekspert i energjisë.

    Në kohë kur bota përballet me krizë klimatike që ndërlikon prodhimin e ushqimit, Qendra për kërkime dhe informim mbi mjedisin “Eko Svest” kërkon që të mos votohen ndryshimet ligjore që do të mundësojnë shndërrimin e përhershëm të tokës bujqësore në tokë ndërtimore për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

    Është e palejueshme, për shkak të mbrojtjes së interesave të investitorëve privatë, t’i shkaktohen dëme të mëdha shtetit, qytetarëve dhe fermerëve të rajoneve të tëra ku aktiviteti më i madh ekonomik është prodhimi i ushqimit dhe komuniteteve lokale nga institucionet me qëllim që të mundësohet grabitja e tokës pjellore në vend. Kjo do ta kufizojë qëllimin e lokacioneve me tokë pjellore në shtet për të siguruar ushqim për popullatën”, thonë nga “Eko Svest”.

    Gjatë ndërtimit të paplanifikuar të objekteve energjetike që përdorin burime të ripërtëritshme, thonë nga atje, përshpejtohet reduktimi i vazhdueshëm i tokave pjellore bujqësore, që nënkupton rrezik për prodhimin e ushqimit, rritje të importit të frutave dhe perimeve me origjinë të panjohur dhe për pasojë shpenzime më të mëdha për popullatën. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Çështja e vulave të ASh / Taravari: me gjasë po e kërkojnë gjykatësin që u përshtatet

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e kuadrit detyron mjekët në moshë pensionimi të vazhdojnë të punojnë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë