Ekspertët: Masat e qeverisë kundër krizës, sa për të mbijetuar familjet dhe bizneset

    Masat kundër krizës për qytetarët janë sa për mbijetesë. Për kompanitë, ato janë minimale dhe të pamjaftueshme në luftën kundër krizës.

    Ky është qëndrimi i përgjithshëm i opozitës, ekspertëve dhe punëdhënësve. Në emisionin “Magazina Ekonomike” , profesori universitar Nikica Mojsoski Bllazhevski thotë se masat janë të përgatitura mirë, por nuk do t’i zgjidhin problemet e qytetarëve në plan afatgjatë.

    “Ne japim para nga buxheti për sot, tani për tani, por nuk mendojmë se si do të krijojmë kapital njerëzor, fuqi pune të kualifikuar, kush do të punojë apo si do të rrisim pagat në të ardhmen!”, tha Nikica Mojsoski Bllazhevski, Profesor Universitar.

    Situata në ekonomi nuk është e mirë, thonë punëdhënësit. Kreditë që ofron qeveria do ishin opsion, por vetëm për kompanitë e pasura.

    “Sigurisht që kreditë pa interes do të ishin të mira për kompanitë që kanë ende rentabilitet në veprimtarinë e tyre. Kredi mund të marrë një kompani të cilës në këtë moment ose i vonohen paratë për shlyerje të kredisë, por nëse ajo ka humbje të vazhdueshme, nëse një produkt që e prodhon i kushton 100, ndërsa e shet për 90, nuk merr kredi”, u shpreh Angel Dimitrov Organizata e Punëdhënësve.

    Opozita paralajmëron se duhet pasur kujdes me huamarrjen e re të paralajmëruar, me të cilën planifikohet zbatimi e këtyre masave.

    “Paguajmë shumë më tepër për kamata për servisimin e borxhit, mendoj se shifra 1,5 për qind e PBV-së shkon për shlyerjen e kamatave. Ne nuk shpenzojmë aq shumë për mbrojtjen kombëtare të vendit, si anëtare e NATO-s. Ose krahasoni ato me shpenzimet për arsim, për shëndetësi apo diçka tjetër”, deklaroi Trajko Sllaveski, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE.

    Për 26 masat e paralajmëruara të Qeverisë do të nevojiten 400 milionë euro. Qeveria tashmë njoftoi se pret momentin më të volitshëm për emetimin e eurobondit të ri me vlerë 600 milionë euro. Borxhi publik i Maqedonisë tashmë ka tejkaluar 60% të PBV-së. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Fëmijëve nga Ukraina në mungesë të dokumentacionit nuk u lejohet rregjistrimi në çerdhet e Maqedonisë së Veriut

    Lajmi i rradhës

    Qyçuk: Çelësi për tejkalimin e kontestit përmbahet në pakon 4+1

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë