Ekspertët: të dobët në PISA kemi qenë edhe para pandemisë, ministri Shaqiri të mos kërkojë alibi

    Ekspertët e çështjes arsimore kanë komentuar rezultatin e fundit të PISA 2022 për Maqedoninë e Veriut. Sipas ekspertit Satki Ismaili, këto rezultate kanë qenë të pritshme, duke u nisur nga sistemi arsimor, reformat që proklamohen nga garnitura të ndryshëm qeveritare, gjegjësisht nga MASh. Ismaili për Nistorin thotë se të gjithë jemi fajtorë.

    “Ne që po e përcjellim situatën e arsimit, si realizohen aktivitetet, pritshmëritë nuk kanë qenë më ndryshe. Dikush po arsyetohet me pandeminë dhe rezultatet janë ato që janë. Jo! Rezultatet janë të tilla si pasojë e shumë rrethanave që ndodhin me arsimin në RMV, duke u nisur nga sistemi arsimor, reformat që bëhen vazhdimisht. Të themi në periudhën 10-të vjeçare vjen një qeveri, proklamohen me atë se do të bëjnë reforma të mira arsimore, të cilat do të na sjellin rezultate. Reforma të tilla kanë një periudhë kohore të cilat te ne po zgjasin maksimalisht pesë vite. A mban dikush përgjegjësi për atë! Fatkeqësisht, jo. Pasoja a ka! Po. Domethënë rezultatet e PISA-s janë atë që veç dëshmojnë cilësinë në arsim”, deklaron Ismaili.

    Ai shton se alibi nuk ka për këtë, të gjithë jemi fajtorë për këtë. Strategjitë për arsim ekzistojnë në letër, por de facto nuk realizohen. Cilësia e mësimdhënësve, sipas Ismailit duhet të jetë ajo që kërkohet më së shumti.

    “Cilësia e mësimdhënësve duhet të jetë ai i duhuri. Është çështje statistikore, a është cilësor kuadri mësimor në RMV! Jo, nuk është. Nuk ekziston një motivim te të rinjtë që të orientohen në drejtimet arsimore, ku thotë se, unë do të orientohem se më pret një ardhmëri e mirë”, shton matematicienti Satki Ismaili.

    Profesori universitar, Demush Bajrami për Nistorin thotë se nuk mund të presim rezultate më të mira me këtë tempo të arsimimit.

    “Ne duhet të korrigjohemi, ne duhet ta korrigjojmë arsimin përtej formalizmave, të mos ndalemi në infrastrukturë. Ne duhet të shikojmë përmbajtjen. Përmbajtja bëhet nëpërmjet një vëzhgimi të vazhdueshëm të mësimdhënies. Inspektim në çdo lëndë, sepse këtu kemi të bëjmë para se gjithash me termat e arsimit cilësor. Puna është te cilësia. Testi i gjuhës, që mund të jetë shkrim – lexim“, shprehet Bajrami.

    Ekspertët kundërtojnë Jeton Shaqirin se pandemia qenka shkaktare

    Pavarësisht deklaratës së ministrit të arsimit, Jeton Shaqiri se pandemia është shkak për rezultatet e dobëta në PISA, Bajrami thotë se duke krahasuar periudhat e rezultateteve të mëhershme, gjendja nuk ka ndryshuar edhe sot.

    “Nuk ka ndryshuar as për të mirë, as për të keq. Jemi aty ku kemi qenë. T’i marrim parasysh të gjithë këta tregues, le të na shërbejë si udhërrëfyes i mirë kjo e PISA-s, që ne thjesht të korrigjojmë veten. Nuk mund të presim renditje më të mirë me këto ecje që i bëjmë tani”, potencon Bajrami.

    Pavarësisht rrethanave që i kemi, profesori thotë se vendi mund të bëjë punë. Të mos ndalemi te ajo që është e shkruar si strategji vetëm në letër, por ajo edhe të zbatohet, pasi sot kërkohen dije praktike.

    Strategjitë arsimore vetëm në letër

    Strategjitë arsimore nuk duhet të përpilohen nga pushteti apo garniturat partiake që udhëheqin me MASh, duhet të angazhohen edhe ekspertë që nuk janë të njëanshëm apo që nuk do të imponojnë thuajse reforma do të jenë të suksesshme. Ai thotë se duhet të angazhohen ekipe profesionistësh, ekspertë të arsimit, pse jo edhe ekspertë të huaj.

    “Nëse ne nuk jemi të aftë të bëjmë diçka të tillë, përderisa marrim ekspertë për çështjen e ndërtimtarisë, pse mos të kemi ekspertë të huaj që do të ndërtojnë strategji (arsimore) dhe do t’i përcjellin, me qëllim për të patur një efekt në rezultatet e PISA dhe të tjera. Këto janë rezultatet që ne i kemi në letër. Ndikimi negativ po vërehet në praktikë. Të rinjtë, ja në moshë 15 vjeçare ku kanë ngecje në shkrim – lexim. Paramendoni, të rriturit e kësaj moshe nuk kuptojnë atë që e lexojnë”, shprehet Ismaili.

    Ismaili ngre një mori pyetjesh nëse kushtet me të cilat përballen mësimdhënësit janë pengesë për rezultatin. Sipas tij, nuk është se mësimdhënësit e bëjnë punën e tyre sipas standardeve nacionale të cilat nxënësi duhet t’i përvetësojë disa dije brenda një periudhe të caktuar. A përvetësohen njohuritë, shkathtësitë dhe a mund nxënësi t’i zbatojë ato për tregun e punës.

    Kush është fajtori!

    Edhe profesori universitar Demush Bajrami fajëson sistemin arsimor, për shkak se aty bëhet politika arsimore dhe se nëpërmjet sistemit rregullohen të gjitha.

    “Faji është te sistemi, sepse aty bëhen gjërat. Pra, është në pyetje politika arsimore, sepse nëpërmjet kësaj rregullohen të gjitha. Po të zbatojmë atë që është e shkruar, por kjo duhet të ndiqet. Tashmë i kemi treguesit, PISA është treguesi më i madh që mund të na çojë drejt ndryshimeve të mëdha, por ndryshimet e mëdha nuk vijnë brenda natës. Duhet një punë aktive, efektive, një komunikim dhe vëzhgim i vazhdueshëm”, thekson Bajrami.

    Testet nga PISA organizohen prej vitit 2000 dhe viti 2022 është cikli i tetë. RMV kësaj radhe radhitet në vendin e 71 për shkrim – lexim nga gjithsej 81 shtete dhe në vendin e 61 për matematikë. RMV mori pjesë për herë të parë në PISA në vitin 2010. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    QBN: ryshfeti lulëzon në RMV

    Lajmi i rradhës

    Si e njeh opinioni publik Lupço Palevskin, i dyshuari për vrasjen e 14 vjeçares në Shkup!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë