Ekspertët: zhvillimet me Izraelin dhe Iranin do të ndikojnë në çmimin e energjisë në RMV

    Qytetarët sërish i pret dimër i pasigurt. Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet në Izrael dhe Iran mund të ndikojnë edhe në çmimin e energjisë elektrike. Menjëherë pritet që çmimi i derivateve në bursë të rritet dhe të shkojnë mbi 73 dollarë për fuçi.

    “Të gjitha trazirat do të ndikojnë edhe në çmimin e energjisë elektrike në sektorin e Evropës Lindore dhe Juglindore, sepse çmimi i saj në bursë është dukshëm më i lartë se çmimi i energjisë elektrike në pjesën perëndimore të Evropës, pjesërisht për shkak të dërgesës më të madhe të energjisë elektrike për Ukrainën. Ne do të paguajmë për atë që po ndodh”, deklaroi Konstantin Dimitrov- profesor.

    “Ne nuk jemi të izoluar, ne si sistem elektrik jemi të lidhur me sistemin energjetik evropian dhe ajo që do të ndodhë në nivel të Evropës, pres që të ndodhë edhe në vendin tonë, edhe pse në vendin tonë, si vend më i vogël që jemi, ato efekte mund të jenë më të vogla. Kjo do të thotë se duhet të jemi gati, të përballemi me realitetin dhe të shohim se si mund t’i përgjigjemi në mënyrë strategjike këtyre sfidave që na presin. Na pret periudhë dimri, ku mund të presim probleme të tjera sa i përket mungesës së energjisë”, tha Vangell Fushtiq- profesor.

    Dimitrov pret që Qeveria e re të ruajë çmimin aktual të rrymës edhe një kohë, në mënyrë që të mos shkaktohet goditje tjetër ndaj amvisërive.

    “Besoj se do të gjejnë zgjidhje diku në mes dhe mbështetje që të mos rritet çmimi me disa mjete nga buxheti, por çmimi duhet të rritet. Le të kuptojmë që është mall sikur në treg, që e ka çmimin e vet. Në Maqedoni, ato mallra shiten me çmim të nënvlerësuar për shkak të paqes sociale. Ka mundësi që, sa më shpejtë që stabilizohet EMV, çmimi i rrymës të rritet pak e jo shumë”, shtoi Konstantin Dimitrov- profesor.

    Ministrja e Energjetikës nuk pret rritje drastike të çmimit të energjisë elektrike. Thotë se po ndiqen zhvillimet në Lindjen e Largët. Ajo shpreson se kjo nuk do të ndikojë ndjeshëm në rajon.

    “Siç e dini, çmimi i ri do të vendoset nga 1 janari, do të diskutojmë me EMV-në sepse EVN do të shpall tenderin dhe sasitë. Sigurisht që kujdesemi për qytetarët dhe do të përpiqemi të mos kemi asnjë ndikim në konsum”, u shpreh Sanja Bozhinovska- Ministre e energjetikës.

    Bozhinovska paralajmëroi koordinim me EMV-në për javën e ardhshme. Do të bëhet plan për furnizim me qymyr si dhe sasitë e energjisë që mund t’i porosis deri në fund të vitit, që të shihet sa energji mungon për vitin e ardhshëm. Megjithatë, një pjesë e nevojave do të duhet të plotësohet nga importi. Këto dhe tema të tjera do të diskutohen në konferencën ndërkombëtare për energjinë në Strugë në dy ditët e ardhshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Zdrukthëtaria drejt zhdukjes, të rinjtë të painteresuar për t’u bërë marangozë

    Lajmi i rradhës

    Mickoski: jam i gatshëm për bisedime me Bullgarinë, por jo me shantazhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë