Escobar: Asociacioni nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit

    I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

    Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.

    “Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

    Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.

    “Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

    Çfarë parasheh Asociacioni?

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

    Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

    Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

    Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

    Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2013 Marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të dialgout të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet e themelimit të Asociacionit.

    Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik, dhe tha se ato mund të harmonizohen me ake nënligjore të Qeverisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshton një asociacion njëetnik, ndërkaq Serbia insiston në krijimin e tij.

    Më 18 gusht, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun, dhe Escobar tha se shpreson që në këtë takim të flitet edhe për Asociacionin.

    Escobar tha se për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

    Ai tha se SHBA-ja mbështet “plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

    “Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony]Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.

    Kosova dhe Serbia zhvillojnë diskutime në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi i dialogut ka për synim normalizimin e plotë të raporteve.

    Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “BE-ja duhej ta disiplinonte Bullgarinë”

    Lajmi i rradhës

    Përplasje mes institucioneve në Shkup, sistemi i drejtësisë në krizë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë