Është java e fundit e pritjes për Entin Shtetëror të Statistikave që të nisë operacionin e regjistrimit të popullsisë. Gjithçka është gati, pas mbylljes së konkurseve për regjistruesit dhe instruktorët dhe trajnimit të tyre që përfundon të martën. Bëhet fjalë për mbi 500 instruktorë dhe mbi 5500 regjistrues, të përzgjedhur nga konkurset që u mbyllen në fundjavë. Zëvendësdrejtori i ESHS, Ilmi Selami thotë për gazetën KOHA se çdo gjë është gati që të fillojë numërimi i popullsisë, konform protokolleve dhe masave të miratuara nga autoritetet e shëndetësore. Pavarësisht numrit në rritje të rasteve të infektimit me Kovid, Selami potencon se gjithsesi regjistrimi do të fillojë. Për situata të posaçme, ku ka të infektuar dhe persona të izoluar do të pritet brenda një afati dhjetë ditor, në rastet kur karantina zgjat më shumë sesa harku kohor i regjistrimit regjistruesit do t’i evidentojnë të dhënat duke qenë i mbrojtur me veshjen speciale njëpërdorimëshe.
“Në raste më specifike do të jemi në koordinim me MSH dhe MPB. Në fakt procesi nuk është i ndërlikuar, për faktin se të dhënat për familjen mund t’i japë vetëm një person, kryefamiljari, apo dikush tjetër, por nëse një familje ka të infektuar do të presim dhjetë ditë, në rast se të gjithë janë të infektuar në faza të ndryshme, regjistruesi do të hyjë i veshur me skafandër, me veshjen adekuate për këtë rast. Kanë shteruar të gjitha argumentet, arsyetimet kundër këtij procesi që u shty dhe u vu në pikëpyetje disa kohë më parë. Nëse zgjedhjet lokale do të zhvillohen, regjistrimi as që diskutohet”, thotë Selami.
Me instruktorët trajnimet janë mbyllur më shpejt, me regjistruesit përfundojnë nesër, janë pajisur me laptopë dhe me udhëzime sesi duhet të veprojnë. Janë rregullat e njëjta që janë miratuar nga Komisioni për sëmundje infektive. Maska është e detyrueshme, qëndrimi i regjistruesve në ambiente të hapura, aty ku ka mundësi, ose të mbahen dritaret e hapura. Regjistrim i popullsisë nis nga datat 5 deri në 30 shtator. Për shtetasit që ndodhen jashtë vendit procesi vazhdon pa ndërprerje që prej disa muajsh. Deri tani janë regjistruar mbi 190 mijë persona, shifra këto që këto dy javët e fundit kanë filluar të rriten, pas një ndërprerje që erdhi si pasojë e spostimit të datës së regjistrimit nga prilli në muajin shtator. Zvicra, Gjermani dhe Italia janë disa prej vendeve ku numri i të vetëregjistruarve është i lartë. Dy ditët e fundit, bëjnë me dije nga platforma “Regjistrimi 2021”, se intensiteti i regjistrimit është rritur duke shkuar nga 40 deri në 50 persona në ditë, shifra këto që prapëseprapë janë të vogla, po të kihet parasysh vrulli i disa muajve më parë kur regjistroheshin me mijëra persona në ditë, kryesisht shqiptarë. Pritet që me fillimin e regjistrimit në terren dhe vëmendjen mediatike që do të marrë procesi të shtohet edhe interesimi i shtetasve që jetojnë jashtë vendit.
Diaspora: 190.797 të regjistruar deri më 30. 08. 2021
Zvicra: 62.545
Gjermania: 43.364
Italia: 26.878
Austria: 11.066
SHBA: 2164